Alban Hoxha: ‘Ferencvarosh, ndeshja e jetës’

Padiskutim protagonist absolut i kuadratit në Kategorinë Superiore prej një dekade. Alban Hoxha, kapiteni i Partizanit i ftuar në “FanZone”, në SuperSport, shprehet se te të kuqtë ka marrë gëzime të shumta. Veçon përballjen me Ferencvarosh si sfidën e ‘jetës’. Nuk harron të thurë elozhe për Ilion Likën…
Si jeni Alban?
“Jam mirë dhe jam stërvitur disa ditë para shokëve. Ndonjë xhiro me djalin në kohën e lejuar dhe në pritje të njoftimit të klubit për tu kthyer”.
I realizuar?
“Ëndrra e çdo lojtari është të jetë pjesë e Kombëtares dhe unë ia dola ta realizoja. Nuk mund të pretendoj akoma më shumë në ekipin kombëtar, e rëndësishme është që thirrem aty dhe përgatitem për kampionatin.
Me Kombëtaren kemi festuar, por shumë pak, ndërsa me Partizanin kemi festuar më shumë. Madje para 2-3 viteve, kur fitonim në derbi ose me Skënderbeun, festonim të gjithë.
Sfida me e bukur me Ferencvaroshin?
Kanë kaluar 4 vite nga ajo ndeshje dhe akoma njerëzit në rrugë më thonë si i prite penalltitë dhe si shënove me Panenka? Pa diskutim ajo është ndeshja më e bukur në karrierën time.
Transferim te Tirana?
E respektoj shumë si klub. Megjithatë, dëshira ime është ta mbyll te Partizani, por asnjëherë nuk i dihet.
Dinamo apo Partizani?
“Dinamo ka qenë një ekip shumë i mirë në të kaluarën. Të dyja kanë qenë skuadra të forta. Dinamo asokohe fitonte jashtë dhe e kishte të vështirë brenda. Me Partizanin e kishim shumë të mirë kundërsulmin dhe u krijonim vështirësi kundërshtarëve”
Lika apo Hidi?
“Mendoj se Ilion Lika është një djalë shumë i mirë. Ka qenë si një vëlla për mua, kemi një miqësi shumë të mirë. Jam munduar të mësoj prej tij.”