Cungu: Kampionat për të kaluar ‘klasën’


Trajneri i Laçit, Armando Cungu, në emisionin informativ të pasdites në ‘Syri TV’, foli për Laçin e tij dhe situatën e re të krijuar pas pandemisë me koronavirues.

Superioren e do me parametrat e së shkuarës, teksa pa tifozë sipas Cungut, e kotë të zbritet në fushë. Ai e ka quajtur kampionatin në vijim sa për të kaluar radhën.

Si kanë qenë këto ditë të stërvitjes në distancë…?

Besoj se dhe te neve, si në çdo ekip nëpër botë, lojtarët janë përgatitur nëpërmjet internetit, pasi ne i kemi dhënë një program stërvitor. Kjo është mënyra e përgatitjeve në këtë situatë që po kalojmë. Edhe kushtet këto janë, sidomos në sport që ka probleme të mëdha. Jo të gjithë i kanë mundësitë për t’u stërvitur ashtu siç duhet, nga kushtet që janë. “

A i kanë zbatuar lojtarët rregullat?

“Me sinqeritet jam tepër i kënaqur për përkushtimin e tyre, për seriozitetin dhe profesionalizmin. Është e vështirë në këto kushte, pasi jo të gjithë kanë mundësi stërvitjeje në kushte shtëpie. Shqetësimi im është për kushtet që kanë. Ndonjë lojtar ka mundësi, sepse ka shtëpi me oborr apo ka hapësirë, dikush në pallat. Ndryshe janë stërvitjet në qytet dhe mund të themi ndryshe mund të stërviten në një shtëpi në fshat. Këto janë shqetësimet e mia.”

Si mund ta gjejë Laçin fillimi i kampionatit, ose të gjithë ekipet e Superligës?

“Që do ketë probleme do të ketë. Për të zhvilluar një kampionat duhet të biem të gjithë dakord, të jenë kushte normale. Nuk bëhet fjalë tashmë për futboll cilësor. Të jem i sinqertë, kampionati deri në momentin që u pezullua ishte normal, tani s’mund të thuhet e njëjta gjë. Do të zhvillohet një kampionat thjesht për t’u mbyllur, thjesht formal.”

Gjendja fizike sa ndikon te një zhvillim normal i stërvitjeve dhe më pas i rifillimit të jetës dhe aktivitetit normal?

Për mendimin tim, nëse je psikologjikisht mirë, je mirë edhe nga ana fizike. Në të kundërt, ka probleme. Ka sportistë që vendosin gurë dhe kunguj në vend të piketave. Nuk po dimë se deri kur do vazhdojë kështu. Durimi ka kufi, për fajin e askujt, po shtyhet vazhdimisht data e rifillimit të kampionatit dhe në një farë mënyre kam shqetësimin se soset durimi. Është e vështirë më pas për të patur impulsin e duhur për të vazhduar dhe përfunduar punën që kemi nisur, pra të mbyllim kampionatin.”

Jeni në vend të tretë, jeni pro rifillimit të kampionatit?

“Nëse flas për interesa personale, jam i kënaqur me këtë pozicion që kemi dhe mund të thoja që kampionati të mbyllet siç përfundoi në Belgjikë, apo Holandë. Besoj se më kuptoni si do të jetë vazhdimi. Nuk mund të luhet pa tifozë, sepse futbolli është krijuar për tifozët. Janë impuls i madh dhe prania e tyre është e domosdoshme. Pa praninë e tyre nuk mund të luhet. Nuk jam unë personi që vendos, por nëse do të ishte në dorën time, duhet të luhet në kushte normale.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!