Kombëtarja kuqezi e momentit, janë ‘bluzat e bardha’


Federata e Futbollit, shpall simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore. Simbolika ëshët e thjeshtë, njerëzore dhe e goditur….

FSHF shkruan:

“Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht punën, mundin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve, sanitarëve, shoferëve të ambulancave dhe të gjithë punonjësve në sistemin e shëndetësisë që në vijën e parë po përballen me guxim me virusin vdekjeprurës Covid-19.

Në këtë kohë të vështirë, jemi shpirtërisht pranë tyre dhe familjeve të tyre. Federata e Futbollit, shpall simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore. Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanelë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi. Sot në Ditën Botërore të Shëndetit, fanelat e punonjësve tanë të shëndetësisë, mbushën fushën e stadiumit kombëtar Air Albania me mesazhin: MJEKËT KOMBËTARJA JONË!

Emrat e tyre do të qëndrojnë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si një kujtesë për sakrificën e tyre! Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë.

Ne sërish bëjmë thirrje që të qëndrojmë në shtëpitë tona, si përpjekja më e mirë për të ndaluar përhapjen e virusit. Kjo është mbështetja më e madhe që mund tu japim mjekëve tanë, që kanë lënë familjet e tyre dhe ditë e natë po rrezikojnë jetën për ne duke u ndeshur me virusin!

Ne krenohemi me ta. Ne besojmë se shumë shpejt, të gjithë sëbashku do ta fitojmë këtë “ndeshje”!”-shkruan FSHF në zyrtaren e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!