Skaner pa ‘skaner’, Superiorja në mes-udhë

Isuf Myrtaj

Sikur të fitonte Kukësi javën e 17-të me Skëndërbeun, do flisnim ndryshe. Skuadara e Duros edhe pse pati luhatje në takime të caktuara, e mbylli 2019-ën në vend të parë.

Një pikë më shumë se Bylis i dyti. Te verilindorët, kualitetet e treguan vetën në përballje vendimtare duke ju imponuar Partizanit, Tiranës… Praktikisht ka shumë pak pika të dobëta.

Ballshiotët surprizuan gjithkënd këtë gjysmë sezoni. Trajneri Dovedan (deri tani kryeson si trajneri më i mirë i vitit te Sporti im.al), diti ti mbajë më të mirën grupit të edicionit të shkuar dhe mundi këtë sezon thuajse të gjitha skuadrat në 17 javë. Gjunjët? “Dielli duket që në mengjes’.

Tirana prezantohet me dy tabllo. Në start e nisi mirë. Më pas, skuadra që drejtohej nga Ardi Mema, nisi një tatpjetë të frikshme derisa pas Memës iku dhe Ahmataj.

I besohet Egbosë, deri tri javë më parë me rol ndihmësi te bardheblutë. Fiton derbin me Partizanin pas më shumë se 5 viteve dhe mund Flamurtarin e Laçin. Filozofi me element të rinj, frymë bashkimi, dhe vendi i tretë. Tani po…

Te ‘shtëpia e kuqe ka drita të zbehta”. Ngjet me Partizanin, skuadrën kampione në fuqi.Lerda u pompua si mjeshtër i madh i takticizmit dhe që do bente të ‘harrohej’ shpejt Gega.

Aventura me lojtarë të ardhur, gërshetuar me të tjerë kampionë nga ‘foleja’ e dikurshme, nuk funksionoi. Shpesh tekniku i larguar pak javë më parë, u përfshi në debate dhe zenka me stafin dhe futbollistë me temperament të lartë.

Përfundimi? Partizani nuk bind, dhe largohet nga kreu. Puna e parë, një menaxher të ri për ta lënë rehat Kalarin të rritet si trajner…

“Për titull janë Kukësi, Partizani dhe më pas Tirana e Teuta”. Kjo ka rezultuar fraza në unison e shumë specalistëve të futbollit javët e para.

Referuar lart, Teuta e lëkundi shpejt progonozën duke kaluar shpesh vështirësi të mëdha. Nën drejtimin e Shkëmbit, durrsakët edhe pse krijonin, nuk prodhonin gola e pikë.

Kjo nuk shkon për skuadrën e Hasanbelliut i cili dy javë para Krishtlindjes, bën rokadën Shkëmbi- Martini. Grupi përgjigjet duke mundur Partizanin e ‘thërmuar’ Flamurtarin në Vlorë.

Laçi një skuadër që e kanë ‘frikë” të gjitha por që ka frikë dhe veten (!). Me Starovën në bord, kurbinasit shpalosën bukuri gjatë përballjes në dy takime me Ber Shevën në prag të sezonit (Europa League).

Kuotat rritën por në prolog me Vllazninë mundën 1-0. Ecuri e dobët deri në javën e 7-të, aty ku ‘Bobi’ largohet me mendjen prapa. ‘Pata një skuadër të fortë, nuk na eci’- duhet të ketë vetëmenduar Starova i dyzuar për vendimin.

Gjithësesi, Armando Cungu, ia di ‘hilet’ skuadrës. Befas, skuadra nis të prodhojë e të mundë njëra pas tjetrës disa ekipe. Me shifra të thellë madje. Ishte koha e Nuabuezes… Në javën e 16-të dhe të 17- zero pikë. Keq puna.

Emri i madh i Vllaznisë u duk se do të ishte sërish në pikëpyetje këtë sezon. Merakto pa shumë detaje, skuadër bashkie dhe një trajner ‘robust’ pa shumë njohje të kampionatit shqiptar.

Megjithatë Mirsad Jonuz, diti të ngrejë në pak kohë shkodranët. Madje më lart sa ishte parashikuar. Kryesisht jashtë ‘Loro Boriçit’ në transfertë. A thua se shkodra, ka ‘ters’ shkodrën…

Mund të jenë të 7-ët në tabelë, por Vllaznia ka merituar më shumë se 23 pikë. Megjithatë, ata (pikët) janë mjaftueshëm për të progresuar për 19 javët e mbetura.

Zhgënjim total te Skenderbeu. Daja ai që konsiderohet si trajneri më i mirë i dekadës së fundit, i dha “jetë” shpesh grupit bardhekuq, por kontigjenti në dispozicion, pati disa herë probleme fizike e luhatje në fushë.

Skënderbeu aktual nuk dikton më, dhe faji është jo i Ilir Dajës. Mbi supe dënimin 10 vjeçar nga UEFA, juglindorët mes panikut dhe shpresës, u sollën ‘grabitqarë’ në takime të caktuara dhe të ‘dorëzuar’ gjetkë. Aktualisht në zonën ‘play-out’.

Të mendosh Luftetarin e edicionit të kaluar apo atë të kohës Rroca,Bregu, Abazaj, Shkurtaj, vërtetë duhet t’i matësh ‘fjalët’.

Skuadra e madhe nuk ekziston dhe njërzit e ‘gurtë’, janë precepituar në zonën e rënjës me 10 pikë larg nga Skënderbeu i vendit të 8-të.

Asgjë serioze te bluzinjtë që vetëm një mrekulli gjatë janarit, me merkaton hapur, mund të rezistojë.

Rezistencë që kurrësesi s’mund ta bejë Flamurtari i pozicionuar si rrallë herë aq poshtë. Skuadër pa berthamë, pa finanaca, pa trajner, pa mbështetje, pa ‘tifozë’.

Kushta, Vasil Ruci, Taho, Memushaj janë gjallë por të strukur totalisht nga “ajo ç’po ju shohin sytë”.

17 javë pa fitore, kjo nuk kishte bërë vaki në Vlorë. Buzëqeshjet ‘tek-tuk’ të Idrizit administrator, po kthehen në modë….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!