Kombëtarja U-17,flasin protagonistët…
‘Shqipëria e 17 vjeçarëve, e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka filluar përgatitjet në prag të turneut kualifikues i cili do të zhvillohet në Portugali. Kuqezinjtë në këtë turne që zhvillohet nga data 13 deri në 19 nëntor do të luajnë ndaj vendasve të Portugalisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Për të folur për përgatitjet e skuadrës dhe gjëndjen në prag të ndeshjeve kualifikuese, kanë dalë sot në konferencë për shtyp kapiteni Mitaj dhe Fejzulla. Mario Mitaj shprehet se skuadra ka element cilësorë në përbërje dhe shfaqet optimist.
“Situata është shumë e mirë besoj se jemi mirë dhe duam të vazhdojmë kështu. Çdo ditë kemi dy stërvitje dhe shkojmë shumë mirë. Rëndësia e turneut? Është turneu më i rëndësishëm në këtë vit se kemi bërë shumë grumbullime vetëm për këtë moment.
Normalisht ky është grumbullimi më i rëndësishëm. Elementë me potencial? Po normalisht, ka shumë lojtarë që do vazhdojnë edhe më lartë. Ka elementë shumë të mirë”, ka përfunduar Mitaj.
Dejvi Fejzulla theksoi se e gjithë skuadra do të bëj maksimumin për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë. “Atmosfera është shumë e mirë kësaj radhe, kemi punuar gjithë vitin për këtë grumbullim, pasi është turneu zyrtar që zhvillohet në Portugali.
Jemi grumbulluar dje të gjithë, por ekipi nuk është ende i plotë pasi nuk janë bashkuar edhe pjesa tjetër që ka obligime në skuadrat e tyre. Më datë 12 udhëtojmë për Portugali ku kemi edhe tre ndeshjet. Rëndësia e ndeshjeve me Kombëtaren?
Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme pasi është turneu i parë zyrtar që kemi, si fillim të prezantojmë Shqipërinë dhe më pas të shohim nivelin që kemi ne në krahasim me ekipet e tjera në Europë.
Pasi kemi një grup të fortë ndaj Portugalisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë që janë shumë të mira. Asnjë ndeshje nuk është e thjeshtë, por asgjë nuk është e pamundur, ne do të luajmë për fitore dhe për të prezantuar Kombin tonë denjësisht”’-shkruhet në zyrtaren e FSHF-së.