‘Dora’ e Cungut, apo këmba e Nuabuezes…?!
Kategoria Superiore java 10-të: Laçi-Vllaznia 3-0 (Nuabueze 39′, 52′, Lushkja 60′)
Kura e Cungut apo këmba e Nuabuezes? Kjo është pyetja që vjen vetëvetiu ndërsa shikon këtë skuadër të transformuar në dy javë. Sot në Laç, skuadra bardhezi me një super Nuabueze, shkatërron Vllazninë me tre gola mjaft të bukur.
Protagonist absolut nigeriano-amerikani Kirian Nuabueze i cili në rastin e parë që iu vodh mbrojtjes mike, gjuan mbi vijën e zonës për të gjetur golin e parë të takimit.
Vllaznia në panik, nuk arrin të mbajë larg kurbinasit të cilët në pjesën e dytë, shënojnë dhe dy herë të tjera. Edhe goli i dytë, një kryevepër e Nuabuezes. Rrëmben një top nga gjysmëfusha, galopim duke evituar disa mbrojtës dhe sërish në kufinjtë e zonës, lëshon predhën numër ‘2’.
Sfera bindet dhe shkon në krahun e majtë të Sherrit. Është goli i 9-sezonal për sulmuesin e ardhur nga Drita e Gjilanit. Ndërkohë pas një situate të qetë, me shkodranët që kërkojnë të hapin takimin, vjen dhe goditja e tretë.
Një kundërzbritje me protagonist Tekon, ndërsa udhëheq topin i vetëm përballë Sherrit, nuk arrin të shënjestrojë. Portieri ndal fillimisht, por Lushkja që ndjek nga prapa bën gjithçka me klas.
Eviton një mbrojtës dhe portierin Sherri dhe e dërgon topin në rrjetë. S’ka më histori. Ndonëse Vllaznia beson duke u hedhur shumë përpara, harron prapavijen që në dy- tri raste, mund të merrte gola të tjerë.
Xhixha dhe sidomos Berisha, shfaqen më shumë se duhet ‘xhentillmenë’. Laçi në progres…