Reagon Partizani, dhuna e parapërgatitur…

Pasi ka fituar derbin numër 155 ndaj Tiranës, shtyrë nga e gjitha atmosfera jo mikpritëse, dhuna ndaj tifozerisë së tyre, Partizani ka mbajtur qëndrim zyrtar sot, teksa dhunën dhe organizmin e ndeshjes nga klubi pritës, e quan të mirëmenduar.

REAGIM:

‘Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi.

Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv.

Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”.

Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë.

Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”.

I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent‘-thuhet në deklaratë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!