Kukësi: Ikën Frashëri, vjen Xhika…
![](https://sportiim.al/wp-content/uploads/2019/08/11111.jpg)
Ato çka priteshin, tashmë janë zyrtarizuar. Nga skuadra e Kukësit është larguar portieri korçar Stivi Frashëri dhe menjëherë, drejtuesit e klubit verilindor, në vend të tij kanë zyrtarizua kryeqytetasin Dashamir Xhika.
Pak ditë më parë, rezerva i portierit të Kombëtares dhe i kampionëve të Shqipërisë, Dashamir Xhika, pas 5 vitesh pritjeje për të mbrojtur edhe ai katërkëndorin e portës së Partizanit, nuk duroi dhe u largua nga “të kuqtë” e kryeqytetit.
Dritën jeshile të perspektivës se re atij ia hapi trajneri Shpëtim Duro, që sapo u vu në krye të kuksianëve, duke ia njohur cilësitë, e kërkoi Xhikën si një alternativë për të zëvendësuar Frashërin në ikje. Ky “operacion” tani është zyrtarizuar.
“Futboll Klub Kukësi njofton arritjen e marrëveshjes me portierin Dashamir Xhika.30-vjeçari ka nënshkruar kontratë për një sezon futbollistik me klubin tonë. “Gardiani” vjen te skuadra jonë pas 5 sezonesh me Partizanin. MirëseerdheXhika”, shkruhet në njoftimin që ka bërë klubi i Kukësit në faqen e tij në “Facebook”.
“Gardiani” Dashamir Xhika, tashmë do të jetë në garë të ashpër me kosovarin Ilir Avdylin, për të mbrojtur portën e skuadrës së Kukësit për sezonin e ardhshëm.