Në zemrën e Zhang s’ka vend për Ikardin!…
Sulmuesi argjentinas, ish-kapiteni Mauro Ikardi është kthyer një çështje prej kohësh te Interi. Skuadra me trajnerin Antonio Konte janë në turneun e Azisë, ndërsa argjentinasi ndodhet në Itali i vetëm në pritje të fatit të tij.
Presidenti i Interit, Stiven Zhang, sot ka paralajmëruar se nuk do të ndryshojnë mendje për sulmuesin Mauro Ikardi, por ka shtuar se punojnë për të gjetur një zgjidhje të mirë për të.
“Ikardi është një lojtar i madh, një njeri i mirë dhe ai ndihmoi klubin me shumë gola në të kaluarën. Ne jemi të sigurt se do të gjejmë një zgjidhje të mirë për të”, ka thënë Zhang për gazetën “Corriere della Sera”.
Presidenti i zikaltërve u pyet, nëse ka pasur ndonjë ndryshim në zemrën e tij për Ikardin, duke pasur parasysh mungesën e sulmuesve tani? “Jo”, ishte përgjigja shkurt e tij.
Ndërkohë, dihet se Interi është i gatshëm ta lëshojë argjentinasin, nëse dikush arkëton 70 milionë në kasafortën e tij.