Karabak, i kënaqur edhe me barazim…
Trajneri i Karabagut, Gurban Gurbanov, në konferencën për shtyp përpara sfidës së nesërme ndaj Partizanit, të mbajtur pasditen e sotme në mjediset e stadiumit “Selman Stërmasi” theksoi, se më shumë sesa vapës i trembet Partizanit, që sipas trajnerit të azerëve ka bërë shumë ndryshime dhe që mund t’i surprizojë jo pak në ndeshjen e nesërme.
NDESHJA? “E dimë që do luajmë ndaj një ekipi të vështirë si Partizani, duke parë që edhe vjet patëm një ndeshje të vështirë ndaj një ekipi shqiptar si Kukësi. Do jetë ndeshje e fortë, edhe tifozët janë plot me energji, si vjet me Kukësin”.
FAVORITE? “Nuk e ndjejmë veten favoritë ndaj Partizanit, jemi në nivele të larta siç është Champions League. Këtu janë ekipe të barabarta”.
PËR FITORE? “Sigurisht që do donim të fitonim, por edhe një barazim do ishte mirë për ne. Edhe nëse mbajmë portën pa pësuar, do na bënte mirë”.
NDRYSHIMI ME KUKËSIN? “Nuk mund të jap një përgjigje të saktë, sepse Partizanin nuk e kam parë akoma në një ndeshje direkt. Do jap përshtypjet pas ndeshjes së pare”.
TEMPERATURAT APO PARTIZANIT? “Sigurisht që është shumë vapë, por nesër na duhet disiplinë dhe ta harrojmë të nxehtin”.
NDRYSHIMET E PARTIZANIT, JU FAVORIZOJNE? “Fakti që kanë bërë ndryshime, mund të jetë dhe surprizë për ne”.
IKJA E AGOLLIT? “Ansi nuk u largua thjesht nga një ekip, por nga një familje. E ndjejmë shumë mungesën e Ansit, si një pjestar të familjes, jo thjesht si një lojtar”.
ELIMINIMI, DO ISHTE DËSHTIM? “Sigurisht që është një humbje për çdo ekip nëse eliminohet në raundin e parë. Edhe nëse humbim, do ecim përpara”.
Pas konferences për shtyp, skuadra azere e Karabakut zbriti në fushën e stadiumit “Selman Stërmasi” për të bërë një stërvitje shkrythëse dhe për t’u njohur me fushën. Kamerat nuk u lejuan të filmonin, veç të merrnin disa plane, të nevojshme për kronikat televizive.