Hyrje-dalje te Teuta: ikën Bicaj, vjen Hoxha!

Ndërsa Teuta ka nisur të skicojë portretin e saj europian, mësohet se sot ka patur lëvizje në gjirin e “djemve të detit”.
Drejtuesit e skuadrës durrsake se kanë ndërprerë marrëdhëniet me qendërmbrojtësin 30-vjeçar Ditmar Bicaj, të cilin pasi e falenderon për kontributin e dhënë, i urojnë suksese në vazhdimin e karrierës së tij, diku tjetër, larg Teutës. Gjithashtu, zyrtarët durrsakë kanë larguar nga radhët e skuadrës së tyre edhe mesfushorin Seoku Kamara.
“Ditmar Bicaj largohet nga Teuta. Klubi njofton se nga sot mbrojtësi ka përfunduar aventurën e tij me ekipin e Teutës. KF Teuta falenderon Ditmar Bicajn për kontributin e dhënë me fanellën e Teutës në rrugën drejt Europes dhe i urojmë futbollistin të ketë shëndet dhe shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij.
Ju njoftojmë se Klubi i Futbollit Teuta ka vendosur që të ndërpres bashkëpunimin me mesfushorin Seoku Camara. Ne e falënderojmë Camaran për paraqitjet e tij sa ishte pjesë e klubit tone”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit durrsak të Teutës të botuar në faqen e tyre në “Facebook”.
Pas mbrojtësit Erlis Frashëri dhe sulmuesit Amadu Latif, numri i futbollistëve të larguar nga radhët e Teutës shkon në katër, duke llogaritur edhe Ditmar Bicaj dhe Seoku Kamaran, gjithashtu të larguar nga skuadra e “djemve të detit”.
Por tek Teuta, jo vetëm ikin. Po sot, pasdite, drejtuesit e klubit durrsak kanë arritur marrëveshjen dhe kanë nënshkruar kontratë me qendërmbrojtësin Rustem Hoxha, i cili pas përfundimit të aventurës me Luftëtarin, rikthehet sërish në të shtëpi, tek Teuta që e rriti dhe e promovoi.
