Gjirokastër, me Partizanin 32 vite më parë…

Nga Bashkim Tufa

Këto radhë janë shkruar 32 vite më parë. Saktësisht më 17 maj të vitit 1987. Kisha shkuar në Gjirokastër, si i dërguari i gazetës “Sporti Popullor”, për të pasqyruar kurorëzimin e Partizanit për të 14-tën herë si kampion i Shqipërisë.

I kisha ruajtur këto radhë për t’i ribotuar pas kaq e kaq vitesh, për ndeshjen e fundit ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, ku zyrtarisht, skuadra e kuqe e Gegës do të kurorëzohej si kampione e Shqipërisë. Por FSHF-ja “m’i dogji planet”, titullin kampion Partizanit ia dha një javë para përfundimit të kampionatit, këtë të dielë që shkoi, pas ndeshjes me Kukësin.  

Gjithsesi, unë po përfitoj nga rasti të revokoj një ngjarje, një sukses të Partizanit, titullin e 14-t të tij si kampion i Shqipërisë, ashtu siç është botuar 32 vite më parë në gazetën “Sporti Popullor”.

Sukses i merituar i “Partizanit” – 14 herë kampion

Mes gëzimit të kampionëve

Nga i dërguari ynë në stadiumin “Subi Bakiri” të Gjirokastrës

Për takimin “Luftëtari” – “Partizani”, Gjirokastra këtë të diel na rezervoi një pritje mjaft të bukur, tamam për një takim të tillë mjaft përcaktues. Kemi ardhur shpesh këto vitet e fundit në këtë qytet. Kjo shpeshtësi kushtëzohet dhe me faktin që nga viti 1982 për të tretën herë, madje këto dy vitet e fundit radhazi, ka bërë që kampionia të kurorëzohet në stadiumin “Subi Bakiri”. Që shumë kohë para fillimit të takimit, aty, në qafën e Pazarit, siç i thonë gjirokastritët, pranë hotel “Sopotit”, ku ishte sistemuar “Partizani”, me dhjetëra të rinj ishin grumbulluar rreth futbollistëve të këtij ekipi dhe kërkonin fletëpalosje nga historiku i “Partizanit” apo distinktiva.

Ja dhe ndeshja. Minutat 15 dhe 70. Këto copëza shënimesh mund t’i përcaktojmë kështu. Pasi këto qenë pikat më kulmore të kësaj ndeshjeje, pra kuptohet që janë çastet e golave. Nuk kishin kaluar veçse 15 minuta, kur Kaçaçi përfiton nga një gabim i Çabeliut, gjuan rreptë në pozicion të prirë dhe gol. 1:0 për “Partizanin”!

Në të 70-tën minutë Kalluci manovron me mjeshtëri dhe inteligjencë në zone, gjuan fort, Musta grushton, por aty i pambuluar ndodhet Seiti që gjuan, traversë dhe gol. 1:1!

Me këtë rezultat përfundon takimi, që përbën etapën e fundit të 2340 minutave të kampionatit të 41-të kombëtar të futbollit, që nxori ekipin e “Partizanit” si kam­pion të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për sezonin futbollistik 1986-1987.

Ishte një lojë e qetë, pa shumë nerv, por e hapur, me theks sulmues që krijoi edhefaza interesante. Në orën 18.45’, gjyqtari i takimit Arsen Hoxha ka vërshëllyer për përfundimin e ndeshjes. Njëkohësisht është ulur dhe sipari i kampionatit, duke kurorëzuar për të 14-tën herë ekipin e “Partizanit” kampion.

Dhe kurorëzohen kampionët e rinj, futbollistet e “Partizanit”… Gëzimi i tyre! Dhe është e kuptueshme. Ky është shpërblimi i punës. Ngado urime, përqafime, midis njëri -tjetrit, madje dhe nga futbo­llistët gjirokastritë që kanë privilegjin të përgëzojnë të parët fituesit. Në shkallët e stadiumit dëgjohen thirrjet: “Partizani”, “Partizani”! Janë sportdashësit që përgëzojnë kampionët e rinj. Pamja është emocionuese…

Ja dhe ceremonia zyrtare. Kryetari i Komitetit të Këshillit të Përgjithshëm të BFSSH-së Mehdi Bushati, i dorëzon kupën  kapitenit Perlat Musta.

Nuk pretendojmë që nëpërmjet këtyre pak radhëve të bëjmë analizën e kampionëve të sapokurorëzuar. Veç na duket me vend dhe është rasti që t’i kalojmë kufijtë e këtij takimi për t’i bërë një konturim të shpejtë e të lehtë ecurisë që na ravijëzoi portretin e kampiones së re dhe protagonistëve të saj.

Fitimi i titullit kampion nga “Partizani’ përbën një sukses plotësisht të merituar për këtë kolektiv të ri, i cili thelloi më tej traditën e brezave paraardhës, duke koleksionuar pas 6 vjetësh këtë trofe për të 14-ën herë në historinë 41-vjeçare të tij. Natyrisht për këtë ai meriton përgëzimet dhe urimet më të mira. Suksesi i arritur është fryt i punës plot pasion, dëshirë e seriozitet të futbollistëve të këtij ekipi, për të rritur mjeshtërinë e tyre futbollistike. Këto cilësi u mishëruan nëpërmjet lojërash cilësore, plot frymëzim e motive, ku dinamizmi, vrulli u gërshetuan dhe me një përgatitje të kënaqshme fizike, që përbën edhe një themel të fortë për mbështetjen e veprimeve të menduara e të realizuara me efektivitet në planin tekniko-taktik, ku kundërsulmi i shpejtë, apo sulmi frontal me prirje, kalimet në krahë, ose përdorimin e “murit” sipas rasteve e qëllimeve, do të thonim, ishin tiparet kryesore të lojërave të kampiones sonë të re.

Përbërës të këtij suksesi janë: Musta – një mbështetje e sigurtë për shokët; Ocelli dinamik; Gega – gati i pakalueshëm; Ramadani – postbllok i fuqishëm; Hametaj – përvoja; Bilali – inteligjent dhe shënues; Frashëri – plot dëshirë për të luajtur; Millo – i palodhur; Pano – një organizator me të ardhme; Tomo­ri – i kudondodhur; Lame – në rininë e dytë; Agalliu – i shpejti i golave kthesë; She­hu – rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen kundërshtare; të cilëve duhet t’u shtojmë kontributin e Alites, portierit te ri A. Muçës, Kaçaçit; Hasanpapës e të tjerë.

Pa dyshim, në këtë sukses të ri të “Partizanit”, pas fitimit të kupës së FSHF-së, po gjatë këtij sezoni, kanë pjesën e ty­re edhe trajnerët e tij Neptun Bajko e Iljaz Dingu, të cilët ditën me aftësi të rrisin dhe të përgatisin një skuadër, ku elementi i ri me atë me përvojë është gërshetuar natyrshëm, duke qënë në gjendje të përballonte një garë të tillë të bukur e me rivalitet të fortë, madje edhe të dalin fitues.

BASHKIM TUFA, Gjirokastër, 17 maj 1987

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!