Rama: Një Partizan, jo vetëm për Europën…

Drejtori Olsi Rama, pas ceremonisë së kurorëzimit me titullin e lartë të kampionit të Shqipërisë, për emisionin “Gol pas Goli” ka treguar “sekretin” e suksesit të klubit të kuq të kryeqytetit, si dhe planet dhe ambiciet e tyre për sezonin e ardhshëm.

“Ka qenë një fat që kam punuar me Gaz Demin, që është miku im dhe presidenti i Partizanit. Ka qenë një fat që kam punuar me Skënder Gegën dhe stafin e tij, por edhe me këta djem të mrekullueshëm. Ne vendosëm që të bënte gjithsecili detyrën që i takonte, por ndonjëherë edhe më tepër, gjithmonë duke shtuar dozën e profesionalizmit. Ky ishte edhe synimi ynë i vërtetë, por për fat të mirë ia dolëm të marrim edhe titullin në fund. Shpresoj të kemi ndërtuar një bazë për të ardhmen dhe të arrijmë edhe më shumë suksese.

Unë nuk jam natyrë e polemikave dhe nuk dua të debatoj me askënd, madje gjatë gjithë sezonit jemi munduar të mbajmë klubin sa më larg këtyre deklaratave. Nuk besoj që ka qenë qëllimi i Partizanit për të qenë konfliktual, por këtë sezon kemi qenë më të qetë dhe kemi mbajtur presionin larg ekipit. Lojtarët kanë qenë të qetë dhe kanë bërë gjërat mirë, duke sjellë edhe rezultatet e duhura. Për meritën tonë, u shkëputëm ndjeshëm nga ndjekësit, duke u dhënë fund polemikave.

Ekipi merr pushimet tashmë, të cilat i meriton plotësisht, pasi kanë kaluar një periudhë vërtetë të ngarkuar. Duhet që djemtë të shkojnë pranë familjeve, për t’u çliruar si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht dhe për të qenë gati për sezonin e ardhshëm. Pjesën e përforcimit të skuadrës ne e kemi në konsideratë çdo ditë, por tani është moment më “i nxehtë” dhe shpresoj që të marrim vendimet e duhura.

Unë nuk do të përqendrohem për të ndërtuar një Partizan vetëm për Europën, por dua të sjell elementë që të mund të bëhen pjesë integrale e ekipit dhe të na shërbejë si në garat europiane, ashtu edhe sezonin e ardhshëm”,- ka deklaruar ndërmjet të tjerash drejtori Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!