Musta-Ribaj, besojnë te vendi i 3-të…

Synimi për kupat e Europës, objektivi i vlonjatëve edhe me shpresën, që në fund të sezonin, drejtuesit e klubit t’i paguajnë futbollistët…

Në konferencat e zakonshme të prag-ndeshjeve, për “llogari” të vlonjatëve, para gazetarëve doli mesfushori Emiljano Musta dhe sulmuesi Andi Ribaj. Flamurtari, nesër, në orën 15:00, do të presë në stadiumin e tij Partizanin kryesues. Do të jetë një ndeshje sa e forte aq edhe interesante.

Pas humbjes në Korçë, vlonjatëve u nevojiten pikë për të ruajtur vendin e tretë, pozicion i cili synohet njëherësh edhe nga Teuta, Skënderbeu dhe Laçi, ku diferenca midis tyre është vetëm 3 pikë. Përfaqësuesit e Flamurtarit u shprehën të bindur, se i kishin mundësitë për t’i marrë pikë Partizanit, pa çka se të kuqtë e kryeqytetit kryesojnë kampionatin.

Emiljano MUSTA
Partizani?
 “Është një ndeshje mjaft e vështirë, pasi luajmë me vendin e parë. Do mundohemi të arrijmë fitoren në këtë takim, pasi një 3-pikësh na ndihmon shumë për të hedhur një hap të sigurtë për Europën. E parashikoj një ndeshje të vështirë dhe do të jetë një sfidë e bukur për t’u parë dhe për t’u luajtur”.

Pagat? “Për pagat vazhdon e njëjta histori. Ne jemi në pritje. Ne jemi aktorët në fushë dhe për gjërat e tjera nuk kemi gjë në dorë. Tani po vjen fundi dhe çdo gjë do ndahet. Shpresoj të paguhemi, pasi me këtë punë mbajmë familjet. Ne jemi profesionistë dhe kemi dhënë gjithmonë më të mirën dhe nuk është gjë e mirë që kemi kaq muaj pa rroga. Kemi dhënë 100% në fushë dhe shpresojmë që drejtuesit të na e shpërblejnë”.

Andi RIBAJ
Ndeshja?
 “Ndeshja e fazës së shkuar është mbyllur atje. Nuk dua dhe shpresoj që mos të përsëriten të njëjtat gjëra. Tifozët e Flamurtarit nuk duhet të bëjnë diçka të tillë si tifozët e Partizanit, pasi dënojnë veten e tyre dhe ekipin. Nuk duhet që këto gjëra të ndodhin në fushën tonë”.

Vendi i tretë? “Besoj se do të jemi në vend të tretë. Do i marrim ndeshjet një e nga një edhe këto pesë që kanë ngelur. Grupin dhe të gjitha i kemi dhe shpresoj që të arrijmë objektivin që kemi vendosur të gjithë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!