Kthehen medalistët e shtangës…

● Peshëngritësit tanë fitojnë 5 medalje në Europianin e Gjeorgjisë, ku Briken Calja shkëlqeu me 1 medalje të artë dhe 2 argjendi. Medalje fitojnë edhe Qerimaj dhe Shoraj
Konkurrimi i peshëngritësve tanë në Europianin, që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, mund të konsiderohet i suksesshëm. Ata u kthyen në Shqipëri me 5 medalje të fituara, ndërkohë që me rezultatet e arritura, shtangisti Briken Calja thuajse e ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike.
Kronologjia e medaljeve nisi me Briken Caljen në peshën deri 73 kg. Shtangisti ynë shtërmenas fitoi medajen e artë në stilin e shkëputjes me 156 kg, ndërkohë që në stilin e shtytjes me 183 kg dhe me dygarëshin 339 kg., u rendit në vendin e dytë, duke fituar njëherësh edhe dy medalje argjendi.
Medalja e radhës ishte ajo e peshëngritësit shkodran Erkand Qerimaj, i cili me 159 kg të ngritura në stilin e shkëputjes në peshën deri 81 kg, meritoi medaljen e bronzit. Në këtë peshë konkurroi edhe shtangisti peqinas Daniel Godelli, ndaj të cilit prishmëritë ishin tepër të mëdha. Ai dështoi dhe u tërhoq nga gara.
Medalja tjetër do të vinte nga peshëngritësi ynë Krenar Shoraj, në peshën deri 89 kg. Shtangisti vlonjat, me 195 kg e ngritura që në proven e pare në stilin e shtytjes, u rendit në vendin e tretë dhe meritoi medaljen e bronzit në këtë stil të kësaj peshe.
Pavarësisht kthimit të medalistëve në Tiranë, Kampionati Europian i Peshëngritjes nuk ka përfunduar për shtangistët tanë. Të shtunën, në pedanën e Batumit do të konkurrojë për peshën deri 102 kg edhe peshëngritësi i fundit i yni, Endri Karina.
