Juventusi thjeshtë fiton, Milani gabon…
Në Serinë A, në mbrëmjen e së shtunës, u luajtën dy takimet e para për javën e 30-të. Milani hodhi një hap fals në shtëpi dhe nuk shkoi më tepër se sa barazimi 1-1 përballë Udinezes.
Në këtë takim, për Milanin shënoi polaku Piatek në minutën e 44-të, rezultat ky që u barazua nga Lasanja në të 64-tën minutë. Ky rezultat e kompromenton akoma më tepër “biletën” e Champions-it për kuqezinjtë.
Pas 5 fitoreve në kampionat, tani “djajtë” e Milanos gabojnë në 3 takimet pasuese. Sikur të mos mjaftonin këto, në këtë takim Gatuzos iu dëmtuan edhe Donaruma e Paqueta, që i shtohen të mëparshëm Kesi dhe Suzo.
Ndërkohë, edhe pse me mungesa të shumta dhe me një formacion disi të sajuar, Juventusit ka triumfuar 0-2 në transfertën ndaj Kaljarit. Goli i parë u realizua nga qendërmbrojtësi Bonuçi në minutën 22-të, pas një goditjeje me kokë.
Rezultati u fiksua në 2-0, me të talentuarit Kin, i cili po tregon vijueshmëri në formën sportive dhe po shndërrohet në një domosdoshmëri për bardhezinjtë e Alegrit.
Juventusi me këtë fitore ngjitet në kuotën e 81 pikëve, duke kryesuar Serinë A me 18 pikë më shumë se sa Napoli që e ndjek. Titulli për bardhezinjtë e Torinos, çështje kohe.
Në javën pasardhëse, të shtunën e 6 prillit, Juventusi do të presin në shtëpi Milanin, që ka 52 pikë dhe pozicionohet i 4-ti, me vetëm 4 pikë më tepër se sa Lacio, që ka edhe dy takime për të zhvilluar.