Pano, simbol i bashkimit
Nga Milaim Krasniqi
Panajot Pano, përveç se është emri i përjetshëm i futbollit shqiptar, është edhe simboli i bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në shumë forma.
Emri i tij rrugëton në të gjitha trojet shqiptare, bashkë me gazetarët sportivë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, duke mos harruar edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Europë.
Se sa me vlerë është ky emër, tashmë edhe në Kosovë, e kanë dëshmuar gazetarët nga Kosova, të cilët me padurim kanë pritur muajin mars për të qenë pjesëmarrës në turneun “Panajot Pano 10”.
Të gjithë ne jemi ndier të privilegjuar, të nderuar dhe jashtëzakonisht të kënaqur që jemi bërë pjesë e këtij turne. Kemi rrugëtuar kudo bashkë më të tjerët, por nuk jemi ngopur me kënaqësi.
Turneu i 10-të jubilar është edhe më i veçantë për shumë arsye. Ulqini – një nga trojet e bukura shqiptare, e ka fatin e nikoqirit të numrit 10, që jo rrallë është numri i legjendave.
Për gazetarët nga Kosova turneu në Ulqin përcjell mesazhin e legjendës së futbollit kosovar të ndjerë Fadil Vokrri, i cili u tha gjithë shqiptarëve, që “futbollisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave është Panajot Pano”.
I tillë ishte Pano, i tillë është turneu “Panajot Pano”.