“Pano 10” mbyllet me Ulqinin
Nga Dëfrim Methasani
Turneu ndërkombetar i gazetarëve sportivë, shënon epilogun e tij në qytetin e bukur të Ulqinit, aty ku më shumë se 100 njerëz të medias së shkruar dhe vizive, përballen jo në studiot e tyre, por në fushën e lojës.
Motivi është i zakontë si në këto 10 vite me rradhë, nderimi për legjendën Pano, që kësaj here ka edhe 80-vjetorin e lindjes së tij.
Nga Boni, Tetova, Prishtina, Tirana, Shkodra, dhe shumë qytete të trojeve shqiptare, kanë ardhur gazetarë dhe jo vetëm.
Mikpritësit kanë vendosur që ndeshjet e 8 ekipeve konkurente, Deutsche Welle, Klan Maqedoni, Rtsh, Radio Kosova, Rtsh Sport, ABC, Shkodra dhe Ulqini, të zhvillohen në kompleksin “Blue Moon”, ndërsa më pas një mbrëmje “gala” do të ndajë shumë çmime dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në gjithë këto vite.
Ndërkaq që kupat, medaljet dhe diplomat përkatëse, do të jenë per ekipet fituese dhe individët e tillë, sepse çmime speciale ka edhe për lojtarë, portier, apo golshënues.
Si zakonisht familja Pano do të ketë nderimet e zakonta, jo vetëm nga organizatori “Methasani&Event”, por edhe nga ekipet pjesëmarrëse, ndërsa është menduar që turneu të nisë me një minut heshtje dhe një top të parë në adresë të Mikel Jankut, ish- futbollistit dhe gazetarit që ka qenë pjesëmarrës në 8 edicione të këtij turneu.
“Pano 10”, ka meritën e bashkimit të gazetarëve në një shërbim tjetër tashmë, jo për të shkruar për Panon, por për të luajtur në adresë të legjendës së futbollit shqiptar.
Komuna Ulqin, organizata turistike Ulqin dhe mikpitësit Gëzim Hajdinaga dhe Skëndo Rexha, meritojnë përgëzimet e rastit, po ashtu edhe mbështetësit financiarë që mundësojnë zhvillimin me sukses të këtij jubile.