Kosova “bashkohet” me Shqipërinë
Federata e Futbollit të Kosovës do t’i bashkohet Federatës Shqiptare të Futbollit. Nuk bëhet fjalë për një simbiozë, apo shkrirjes së dy federatave në një.
As në krijimin e një lige të përbashkët futbollit, ide që më së shumti ka përkrahës në Kosovë se sa në Shqipëri.
As edhe për bashkimin dhe krijimin e një përfaqësueseje mbarëshqiptare, edhe pse në dy anët e kufinjve shtetërorë e dinë, se kështu do të kemi një ekipi shumë më të fortë e shumë më përfaqësues se sa Shqipëria dhe Kosova, veç e veç siç konkurrojnë realisht tani.
Bashkimi i futbollit të Kosovës me futbollin e Shqipërisë, mendohet të bëhet në formën organizative të tij.
Më saktë, Federata e Futbollit të Kosovës po mendon të kopjojë formulën organizative të Kampionatit të Superligës në Shqipëri. Pra shkurtimin e numrin të skuadrave kosovare të Superligës, nga 12 në 10 klube.
Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, së fundmi ka deklaruar se një gjë e tillë mund të ndodhë nga edicioni i ardhshëm, ka raportuar Insporti.
“Kjo është kompetencë ekskluzive e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. Nuk mund të vendoset në Kuvendin e Punës. Ka mundësi që nga edicioni 2019/20 të largohen 4 skuadra nga Superliga, e nga viti 2020 e tutje të jenë vetëm 10 skuadra në elitë”, është shprehur sekretari Salihu.
Formati me 12 klube, me 3 ndeshje brenda një sezoni, është formula e përdorur në Superligën kosovare që nga edicioni 2009. Në rast se liga shkurtohet me 10 klube pjesëmarrëse, atëherë skuadrat do të përballen nga katër herë gjatë sezonit.