Dramë dhe polemika, befason Skënderbeu…
Në Durrës, Teuta – Skënderbeu 2-2
Ndeshja e dytë e ditës, ajo mes Teutes dhe Skënderbeut, përfundoi në shifra të barabartë, 2-2. Në “Niko Dovana” të Durrësit, përpos spektaklit në fushë dhënë nga skuadrat, ajo që bezdisi jo pak, kishte të bënte me gabimet arbitrare.
Sërish gjyqtari Kola protagonist, i cili sikurse dy javë më parë, gabon rëndë në dy raste. Për fatin e keq të tij, rasti i penalltisë në favor të Teutës dhe aksioni i golit të barazimit nga korçarët, e “nxinë” më shumë xhaketën e “zezë’.
Sidoqoftë, në aspektin sportiv, Teuta duket se humbi dy pikë. Bregdetarët në avantazh të dy golave, u kapen “mat” në pjesën e mbetur nga “ujqërit’, teksa falë përvojës që mbartin, shënuan aq sa iu duhej për të dalë të pamundur.
Orges Shehi, tekniku i Skënderbeut, u shfaq i pari në konferëncë për shtyp. Pas ndeshjës ai u ndal te shpirti i grupit duke shtuar se reagimi i skuadrës, meriton komplimente.
Tekniku korçar, i tha hapur objeksionet lidhur me rastin e penalltisë në dëm të të tijve ndërsa tha: “Po e shoh dhe tani rastin në monitor, por isha i bindur që në mometin e parë gjatë lojës. Vetëm ndonjë që nuk ka parë futboll, thotë se ky rast është penallti. Jam shumë i kënaqur nga skuadra. Reagimi, por dhe pika e marrë sot, na shton besimin që të bëjmë më mirë në vijim”.
Ndërkohë Bledi Shkëmbi, ndërsa sheh t’i ikin dy pikë nga duart, qan momentin e fund-takimit teksa aksioni i korçarëve, sipas tij, u nis nga një faull i pa akorduar.
“E nisëm mirë, por fundi ishte dramatik. Në fazën mbrojtëse, Osmani dhe Arapi, kishin probleme fizike, por nuk pata zgjidhje më të mira, kështu që vëndosa t’i mbaja në lojë. Ruajmë vendin e tretë dhe ky është i vetmi moment që na inkurajon. Do punojmë gjatë javës për të rregulluar disa mangësi. Jemi optimistë që skuadra do të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, ”- tha Shkëmbi.