Vajushi gati? Vendos Shkëmbi

Sfida e radhës është disi më e veçantë për trajnerin e durrsakëve, Bledi Shkëmbi. Të shtunën në mbrëmje, ai do të përballet në stadiumin “Niko Dovana” me “veten”, me Skënderbeun, skuadrën të cilën e udhëhoqi në fushën e blertë si kapiten në fitimin e 5 titujve kampionë.
E megjithatë, ai aktualisht është më i qetë se sa para takimit me Luftëtarin në Gjirokastër, ku Teuta, pas një seri suksesesh, u mund 1-0, edhe pse fitorja për durrsakët kishte vlerë jo vetëm të 3 pikëve, por edhe psikologjike për skuadrën.
Kjo lidhet jo vetëm me faktin, se në radhët e skuadrës së “Djemve të detit” do të rikthehet në skuadër kapiteni Tefik Osmani, i cili mungoi në Gjirokastër të shkak të kartonit të kuq, marrë në përballjen e suksesshme ndaj Kukësit.
Nga kampi durrsak vijnë lajme të mira edhe nga blerja tyre më e fundit dhe e bujshme e merkatos së janarit. Sipas gjasave, sulmuesi i njohur shkodran Armando Vajushi, tashmë është i gatshëm për t’u hedhur në fushën e lojës dhe për të kontribuar për të kaltërit e Teutës.
Lajmin e bën të ditur fizioterapisti Ervin Kapaj, i cili ka kuruar dëmtimin e futbollistit shkodran. Ai ka postuar një foto me Vajushin, ku shkruan “Loading 90%”.
Kësisoj “topi është hedhur në fushën” e trajnerit Shkëmbi, i cili do të vendosë nëse do ta përdorë shkodranin Vajushi ndaj Skënderbeut, apo debutimin e tij me fanellën e Teutës do ta shtyjë për më vonë.
Në radhët e Teutës në ndeshjen ndaj Skënderbeut mungesë e sigurtë do të jetë ajo e mesfushorit Lansinet Sibibes, i cila ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.