Turneu i UEFA-s/ U16 e Shqipërisë nis me Irlandën e Veriut

Bulku: “Ky është një turne dhe një mundësi shumë e mirë për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve”

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

___________________________________________________________________

Kombëtarja shqiptare U-16, që do të marrë pjesë në turneun UEFA Development Tournament U-16 për meshkuj, ka nisur përgatitjet që nga dita e hënë dhe po stërvitet intensivisht nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku dhe stafit teknik.

Përveç Shqipërisë U-16, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Irlandës së Veriut, Perusë dhe Luksemburgut, teksa të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Në një prononcim dhënë për Fshf.org, tekniku kuqezi ka folur për lojtarët e përzgjedhur dhe objektivat që ka përfaqësuesja U-16 në këtë turne. Bulku thekson se ky aktivitet është një mundësi shumë e mirë për këta djem, që të tregojnë vlerat e tyre dhe për të konsoliduar ekipin për të ardhmen.

“Mendoj që bashkë me të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtareve, me të gjithë stafet e ekipeve Kombëtare kemi bërë këtë zgjedhje, këta djem që janë sot këtu të pranishëm. Ka edhe disa të tjerë, disa për efekt të formës që po kalojnë, disa për efekt dokumentesh dhe mendoj që ky do jetë pak a shumë grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Europian. Pa diskutim ky është një test, një turne shumë i mirë, do thoja mundësia më e mirë nëse do të shohësh një skuadër, se sa e gatshme është për një kompeticion siç është edhe Europiani.

Ky është një turne dhe një mundësi shumë e mirë për t’i parë lojtarët nga afër, për të parë gjendjen e tyre, por dhe forcën e harmoninë që ka ky grup për të ardhmen”, – thekson trajneri i kuqezinjve, ndërsa shpreson që në të ardhmen të ketë mundësi për të tjera miqësore apo pjesëmarrje në të tjera turne.

“Ne kemi planifikuar edhe miqësore të tjera. Si ky turne ndoshta mund të ketë dhe një turne tjetër. Gjithçka varet nga çfarë do të ndodhë deri para Europianit sepse dihet që nuk është e lehtë të gjesh turne dhe të gjesh skuadra si në këtë turne. Ky është turne që organizohet nga UEFA dhe duhet të falënderojmë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit që ka mundësuar që këtë turne ne ta zhvillojmë në shtëpinë tonë sepse kjo grupmoshë e ndjen edhe atë momentin kur luan brenda ose jashtë fushës.

Kjo grupmoshë ka pasur mundësi shumë të mira. Është turneu i dytë i këtyre përmasave, pas një turneu në Kroaci një vit më parë, kjo datëlindje e 2006-s dhe mendoj që këto dy turne do i shërbejnë shumë këtij grupi për të qenë sa më i gatshëm për eliminatoret e Europianit”, – shtoi tekniku.

Gjithashtu, Bulku shprehet se në të njëjtën kohë vazhdon puna për të afruar të tjerë elementë të vlefshëm për t’i dhënë mundësi çdo talenti që të ketë shansin për të veshur fanellën kuqezi, por edhe për të pasur lojtarët më të mirë në të gjitha ekipet Kombëtare.

“Ne do mundohemi deri në muajin tetor të zgjedhim më të mirët që ka kjo grupmoshë në të gjithë kampionatet. Të mos harrojmë që tani që po flasim, këtu kemi edhe nga Amerika, janë shqiptarë që luajnë në kampionatin amerikan. Është e vështirë për shkak të distancës, por ne do mundohemi dhe do vazhdojmë të kërkojmë të gjithë lojtarët e kësaj grupmoshe, kudo që të ndodhen. Do shkojmë t’i vëzhgojmë ose do i thërrasim këtu që më pas të zgjedhim më të mirët që do përfaqësojnë Shqipërinë”, – tha trajneri i ekipit kombëtar U-16.

Turneu do të nisë më 9 prill, ku ndeshja e parë do të jetë Shqipëri – Irlandë e Veriut, me sfidën që nis nga ora 11:00. Në po të njëjtën ditë do të luajë edhe Luksemburgu kundër Perusë, në orën 14:00. Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më date 11 prill, me Shqipëri – Peru që zhvillohet në orën 11:00 dhe Irlandë e Veriut – Luksemburg në orën 14:00. Ndeshjet e fundit në grup luhen në datë 14 prill, me Shqipëri – Luksemburg në orën 11:00 dhe Peru – Irlandë e Veriut në orën 13:00.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!