Mehmeti: Kërkojmë identitetin tonë ndaj kujtdo

Radha e Tirana-Partizani në derbin 165 mes tyre. Do të luhet të shtunën pasdite me fillim orën 19:45 në “Air Albania Stadium”.Tirana kryeson tabelën me 52 pikë , Partizani i pesti me 33 pikë. Trajneri i Partizanit Dritan Mehmeti sot para mediave në orën 11 05.

Mehmeti:

Ndjesia në derbin e parë si trajner? ‘Normalisht është një ndjesi pozitive kur prezanton një skuadër si Partizani në derbi. Mendoj se kemi shumë elementë që kanë luajtur dhe kanë fituar në derbi. Kam punuar më shumë me lojtarët që nuk kanë luajtur një derbi dhe kam punuar që skuadra të jetë në ekuilibër. Derbi është i paparashikueshëm e shpresoj që të kemi ritmin e duhur. Do të më pëlqente që të kishim më shumë kohë pasi për dy nuk është shumë kohë për të përgatitur një ndeshje të tillë.

Fitorja përballë Kukësit? Të jem i sinqertë, lojtarët harrojnë shpejt. Mendoj se kemi një bonus emocional pas fitores ndaj Kukësit, por duhet të jemi në ekulibër e mos të menaxhohemi nga euforia, por nga llogjika.

Koha e përgatitjes? Ne jemi të barabartë pasi edhe kundërshtari ka luajtur njësoj me ne. Do ta kemi pak të vështirë si ne, por edhe kundërshtari pasi kemi luajtur shumë ndeshje këtë kohë. Pjesa e COVID na ka dhënë 5 ndërrime dhe ke mundësi të bësh disa zëvendësime.

Aspekti psikologjik? Fitorja ndaj Kukësit është një bonus emocional, por jam munduar të jemi në ekuilibër e ta harrojmë ndeshjen me Kukësin. Lojtarët duhet të mendojnë për derbin se është derbi dhe ne duhet të mendojmë për të tashmen pasi do të bëjmë shumë gabim nëse mendojmë për të shkuarën.

Në drejtimin tuaj çfarë ka ndryshuar te ekipi? Jam mundur t’i japë filozofinë time skuadrës dhe jam pjesë e klubit prej kohësh. Jam rritur te kjo skuadër pasi këtu e kam nisur edhe karrierën si lojtar, po fillon të përshtatet filozofia ime me lojën e skuadrës. Jam mundur të jemi në ekuilibër dhe të kemi një sulm të shpejt.

Mosha e re? Janë shumë faktorë që ndikojnë dhe kur ke elementë të rinj, na del për detyrë ne si staf, por edhe lojtarëve me eksperiencë që të ndihmojnë lojtarët e rinj. Kemi punuar dje dhe do të punojmë sot që lojtarët ta shijojnë këtë ndeshje.

Gjendja e Kallakut? Jemi në kontakt pasi ka pasur ato shqetësimet dhe sot do të marrim vendim përfundimtar. Shpresoj që edhe Kallaku të jetë pjesë e skuadrës. Një derbi, mbetet një derbi dhe ka ndjesi të veçantë. Nuk ka ndryshim kur je për titull apo jo, derbi ka treguar që edhe kur skuadrat kanë pasur diferenca, derbi ka prodhuar situata të ndryshme.

Përballë skuadrës që ka shënuar më shumë, Tiranës? Mendoj se jo vetëm sulmin më të mirë, por Tirana ka skuadër të ekuilibruar dhe një mesfushë shumë të mirë. Nëse një skuadër nuk ka një mesfushë të mirë edhe sulmuesit kanë vështirësi përpara. Edhe ne kemi elementë cilësorë dhe do mundohemi t’i godasim në hapësirat që ata do të kenë.

Seferi dhe Xhixha? Tirana është me meritë aty ku është, kanë manovrat e tyre në sulm, por ne do të mundohemi t’i përgjigjemi. Kur del fitimtar në derbi, ke një bonus të madh psikologjik. Ka raste kur fiton në derbi, skuadra fituese ka pasur vazhdimësi.

Çfar duhet të bëjë ndryshe Partizani nesër?Nuk duhet të ndryshojmë asgjë pasi është ndeshja e radhës, edhe pse është derbi. Do kemi lëvizje të vogla, por jemi Partizani dhe do të kërkojmë identitetin tonë ndaj çdo kundërshtari. Është pozitive që edhe humbasim raste, jam i kënaqur që skuadra është në ekuilibër. Mendoj se ne duhet ta kërkojmë të vetja dhe pastaj të shohim çfarë na lë kundërshtari.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!