Gjoka: Kukësi, skuadër që di të fitojë trofe…

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, sot ka dalë në konferencë për shtypin, ku ka folur për finalen e Kupës së 67-të të Shqipërisë, ku përballë do të kenë Tiranën, nesër, në orën 19:00, në “Elbasan Arena”. Pas përpjekjeve për titullin kampion, fitimi i këtij trofeu “më të vogël”, mbetet objektivi i skuadrës kuksiane, pasi ambiciet e presidentit Gjici nuk e kënaqen vetëm me vendi i dytë në kampionatin që sapo përfundoi.

Ndër të tjera, trajneri Gjoka, në këtë konferencë u shpreh: “Kukësi ka bërë një kampionat me shumë probleme, por të paktën arriti një nga objektivat, që ishte ta mbyllte sezonin si nënkampion i Shqipërisë.

Mendoj që Kupa tashmë është një objektiv tjetër, obligim për skuadrën. Do të jetë një ndeshje e vështirë, përballë një skuadre të një niveli shumë të mirë, me një histori shumë të madhe.

Unë si trajner i Kukësit besoj dhe shpresoj ta fitojmë Kupën, pasi kjo skuadër ka bërë gjëra shumë të mira në vitet e fundit. E kanë treguar dhe renditjet e Kukësit në kampionat ndër vite, ku pozita më e keqe ka qenë vendi i tretë. Ka marrë kampionat, kupë, superkupë, një skuadër që di të fitojë trofe”.

Ndër të tjera, trajneri Gjoka, ka folur për të ardhmen e tij, duke u shprehur se ai nuk shqetësohet nga zërat që përfliten, pasi rezultatet janë ato që shprehin vlerat e një tekniku. “Unë jam mësuar me zërat dhe nuk më shqetësojnë. Puna e trajnerit me një ekip të elitës, është gjithmonë risk. Puna jonë vlerësohet dhe matet vetëm me rezultat.

Trajneri duhet të ketë çantën afër vetes gjithmonë, dhe unë e kam afër vetes. Gjithsesi, unë nuk shqetësohem dhe nëse arrijmë objektivat dhe presidenti do që të ketë bashkëpunim edhe vitin tjetër, pse jo,”- përfundoi Gjoka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!