Frikë dhe “tym”, Tirana fiton tifozët…

 Derbi pa fitues, Tirana- Partizani 0-0

Nga Isuf Myrtaj

Nëse ju kishte marrë malli për një stadium shqiptar, i gjithi i mbushur, ai ishte sonte në mbrëmje. “Selman Stërmasi” u bë  dëshmitar i një prej netëve magjike që shpaloset në tribuna.

Me reflektorët ndezur, Tirana e  Partizani, u hodhën në fushë, me synimin për t’i rrëmbyer mbrëmjen njëra-tjetrës, mirepo kjo gjë, nuk ndodhi. E kujdesshme Tirana, e cila në harkun kohor të 45 minutave, bëri goxha për të gjetur avantazhin. Ngo i Tiranës dhe portieri Hoxha për Partizanin, në këtë fraksion, patën duele të ndezura mes tyre, me anglezin, që nuk arriti ta kalojë në dy raste të pastra  kapitenin e kuq. Deçiziv.

Në të dytën, skuadra e Gegës, riparoi mjaftueshëm repartet, bashkëpunimin mes tyre. Nga ana tjetër vëndasit e Tiranës, u dukën disi  më të kondicionuar nga mendësia për të mos e humbur derbin. Dhe nuk kishin faj…! Rreth 8 mijë tifozë bardheblu, kurrësesi nuk mund të  kapërdinin një dështim të  radhës. Sidomos në derbi, aty ku “gjakrat”, janë  të  nxehtë në 365 ditë. Gjithsesi ka drithërima, teksa në fund, një top “dredharak”, shkoi te shtylla e Abibit.

Derbi numër 153, ashtu siç nisi. 0-0- e denjë.

Ardian Mema, u shfaq  gazmor në fund të takimit. Së paku si trajner, në takimin e tij të dytë në një ndeshje derbi, ia arriti të dalë i pamundur nga  Partizani.

Ka kohë dhe për batuta, ndërsa  thotë se të ishte ndeshje në ring, skuadra e  tij do kishte fituar me pikë.  Për të nënkuptuar se Tirana, sipas Memes, ka  luajtur më mirë.

“Kam ardhur në mes të kampionatit dhe nuk kam pasur shumë kohë, por gjërat te Tirana janë rregulluar në masë. Ekipi ka ekuilibër. Po luajmë futboll të mirë. Kjo më ka pëlqyer sot.

“Ndoshta skuadra dha çdo gjë pjesën e parë. Gjithsesi edhe Partizani është një ekip i fortë dhe ata dinë si të reagojnë pas gabimeve. Në pjesën e parë bëmë mirë me manovrat tona. Sulmuam shumë nga krahët me Hoxhallarin dhe Kërçikun. Në pjesën e dytë humbëm freskinë dhe kjo u dallua te Greca,  Hasani dhe Ngo. Në pjesën e dytë loja u bë më e  vështirë. Gabime në  pasime, ndërsa në pjesën e parë u treguam më të saktë në këtë aspekt.

Fitorën e donim me shpirt. por nuk ishte fati me ne. Ndoshta duhet të kishim shënuar gjatë pjesës së parë”, deklaroi  mes të tjerash trajneri i Tiranës, Ardian Mema.

Ndërkohë tekniku i Partizanit, Skënder Gega, tha se priste më shumë nga të  tijtë. Gjithsesi tekniku, e vlerëson pikën  e marrë në derbi dhe beson se Partizani i tij, do të jetë më  produktiv në takimet  e  ardhshme.

“E filluam jo mirë dhe Tirana na rrezikoi disa herë. Në fakt prisja më shumë nga skuadra. Derbi ka tensionin e vet. Sidomos kur vjen përballë një ekip që nuk ka presion. Tirana dha maksimumin në pjesën e parë,  por në pjesën e dytë ne ishim më mirë dhe prisja më shumë.”

Idrizaj?

“Nuk  di se si është situata. Në pamje të parë u duk gjëndje e rëndë  me  gjurin që e kishte shumë keq. Uroj të kthehet sa më parë për familjen për  ne si skuader.

Në vijim do të shohim të rekuperojme forcat e te  bejme  gati  takimin e  radhës,”– tha Gega.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!