Tifozë specialë, Çokaj, Tuci e Mersinaj në Laç
Laçi mundi shumë thjeshtë sot Bylisin në fushën e tij 2-0 në një sfidë e cila nga fillimi deri në fund, ishte dominues. Redon Xhixha dhe Regi Lushkja shënuan golat për bardhezinjtë që pa Nuabuezën për të dytën herë, ia dalin të fitojnë. Ansambli i Duros ka nisur të funksionojë, skuadra ka shprehi dhe vjen konkrete, arrin në kuotën e 14 pikëve.
Duro 61
Shpëtim Duro i ka dhënë drejtim Laçit në pak ditë. Tekniku që në mesnatë mbush 61 vjeç u afrua te bardhezinjtë në 12 dhjetor për të drejtuar një ditë më pas skuadrën ndaj Teutës në ‘Niko Dovana’ 1-1, e më pas fitoi dy takimet në shtëpi me Vllazninë dhe Bylis.
Lokomotiva Zagreb në ‘Laç’
Por sot në takimin me ballshiotët te lista e Laçit u panë në rol tifozësh tre lojtarët kuqezinj. Nëse Enis Çokaj ndoqi edhe të shtunën Laçi- Vllaznia, sot në tribunën e Laçit, u pikasën edhe dy lojtarët e tjerë të Lokomotiva Zagreb Jon Mersinaj dhe Indrit Tuci.
Në fakt përpos laçianit Tuci, dy të tjerët, koplikasi Çokaj dhe fieraku Mersinaj, janë aktivizuar përgjatë sezonit 2018-19 për 6 muaj të huazuar te kurbinasit. ‘Jemi me pushime. Kampionati kroat nis vitin tjetër, ndaj kemi ardhur të ndjekim skuadrën tonë Laçin’– thanë djemtë sot në Laç.