Egnatia poker Bylisit, Lushnja fiton derbin
Abissnet Superiore, Java 5:
Egnatia – Bylis 4-0 (Ahmetaj 32′, 58′, Xhemajli 38′, E.Ndreca 69′)
Egnatia ka harruar shumë shpejt humbjen e papritur në Shkodër dhe është rikthyer te fitorja duke hapur këtë javë të pestë Abissnet Superiore me goleadë ndaj Bylisit.
Dominimi dhe këmbëngulja e rrogozhinasve u konkretizua dy herë në pjesën e parë dhe dy herë në të dytën. Një gol nga distanca i Ahmetajt dhe Xhemajli pas një goditjeje standarde mbyllën llogaritë e së parës.
Në fraksionin e dytë shënon sërish Ahmetaj me kokë teksa serisë së golave i bashkohet edhe Edison Ndreca që mposht Hasanbellin për golin e katërt dhe të fundit të sfidës.
Egnatia vijon të kryesojë klasifikimin me 10 pikë, ndërsa Bylis me 5 pikë mban vendin e gjashtë në tabelën e renditjes. Pas pak, Teuta – Vllaznia.
Sakaq, për llogari të javës së katërt të Kategorisë së Parë janë zhvilluar sot 3 sfida. Erzeni nuk ndal serinë e humbjeve duke u mposhtur sërish, këtë radhë nga Korabi. Derbi myzeqar mes Apolonisë dhe Lushnjës fitohet nga miqtë, ndërsa Burreli kaloi Pogradecin në shifrat 2-1.
Kategoria e Parë, Java 4:
Burreli – Pogradeci 2-1
Erzeni – Korabi 0-2
Apolonia – Lushnja 0-1/Sara Gjidiaj/