Prag Azerbajxhani/ Silvinjo e Seferi para mediave: Jemi të fokusuar 100%

Shqipëria do të luajë nesër në ora 19:00 miqësoren e dytë të planifikuar të muajit qershor ndaj Azerbajxhanit në stadiumin “Haladas Sportkomplexum” në Hungari. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Taulant Seferi dolën këtë të enjte në konferencën zyrtare për media.

Trajneri Silvinjo foli për objektivat që ka skuadra në miqësoren me Azerbajxhanin, ndërsa tha se është shumë i kënaqur edhe me impenjimin e të gjithë lojtarëve gjatë këtyre ditëve të fazës përgatitore. Tekniku brazilian tha se do t’i japë më shumë minuta lojtarëve që nuk kanë luajtur në sfidën e nesërme, Silvinjo komentoi edhe finalet e Europianit dhe tha se skuadra duhet t’i shijojë këto ndeshje dhe të japë maksumumin në fushë për të marrë pikë.

Miqësorja me Azerbajxhanin – Ne jemi duke zhvilluar përgatitjen për Europianin dhe kishim në program dy miqësore. Është një proces pune shumë I shpejtë për ne, për stafin teknik, për lojtarët. Nuk është se kemi patur 3-4 javë në dispozicion për t’u përgatitur për Europianin. Kemi 7 ditë që stërvitemi, mes tyre janë edhe miqësoret. Ne po përgatitemi për ndeshjen me Italinë, por nuk mund të them si do të jetë skuadra, kush do të jetë Shqipëria në atë ndeshje. Kemi edhe pak ditë kohë deri në ndeshjen me Italinë dhe mbetet për t’u parë si do të vijnë gjërat deri në atë moment. E rëndësishme është që në ndeshjen me Azerbajxhanin t’u japim mundësinë lojtarëve, sidomos atyre që nuk kanë luajtur shumë minuta, të provojmë sa më shumë gjëra të reja. Është një proces shumë dinamik, shumë i shpejtë për Kombëtaren.

“Bingo” ndaj Italisë? –Italia është skuadra kampione në fuqi e Europës. Sigurisht që është një ndeshje shumë e vështirë. Po përgatitemi të përballemi si duhet me Italinë, një nga ekipet më të forta në Europë dhe botë, ashtu sikurse Kroacia dhe Spanja që janë në grupin tonë. Është një grup shumë i fortë, shumë i bukur për Shqipërinë, për të gjithë ne, stafin, lojtarët. E rëndësishme është që ta shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë në finalet e një turneu të madh si Europiani, të provojmë të bëjmë më të mirën në turne. Pas ndeshjes miqësore me Azerbajxhanin do kemi mundësinë të vlerësojmë dhe të bëjmë analizat tona për t’u përballur sa më mirë me Italinë në sfidën e parë. Normalisht e kam parë edhe miqësoren mes Italisë dhe Turqisë.

Nesër dorëzohet lista përfundimtare, a ka ndonjë lojtar që keni dyshime dhe ndonjë ndryshim i minutës së fundit? – Kemi 8 ditë që po përgatitemi dhe çdo ditë është shumë e rëndësishme për stafin dhe ekipin. Po punojmë shumë mirë me të gjithë grupin. Lojtarët janë shumë të karikuar, sidomos për pjesëmarrjen në këtë Europian. Jemi duke u stërvitur në një kamp stërvitor shumë të mirë, të qetë, me kushte fantastike. Nesër do të vendoset për listën përfundimtare, për 26 lojtarët. Kemi edhe një ditë kohë për të parë, për të analizuar dhe vendosur. Nëse do ketë ndonjë dëmtim, UEFA të lejon që të bëjmë edhe një ndryshim të fundit në listë. Urojmë që kjo të mos ndodhë. Është e rëndësishmë që lojtarët të përgatiten mirë dhe të punojmë mirë siç kanë bërë gjatë gjithë kësaj kohe.

Plani B për krahun e djathtë të sulmit – Për Asanin nesër është një mundësi e mirë për të marrë minuta. Është një lojtar që prej 4-5 muajsh nuk ka luajtur ndeshje zyrtare me klubin, por është stërvitur rregullisht. E kemi mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë kësaj periudhë dhe ka punuar shumë mirë, është në gjendje shumë të mirë. Në raste të tilla, si me Lihtenshtejnin, kur ti e shikon një lojtar pas 70 minutash që e ndjen pak lodhjen, është mirë që të ndërhysh. Kemi lojtarë shumë të mirë në dispozicion, që mund ta bëjnë shumë mirë atë rol. Asani do të mund të luajë edhe nesër, të shohim sa do të luajë.

I kënaqur me formën e lojtarëve dhe çfarë do të donte të ishte ndryshe në këto përgatitje? – Marrim pjesë  në një turne shumë të rëndësishëm dhe ne duhet ta shijojmë sa më shumë, me përgjegjësi dhe të japim e të marrim më të mirën nga ky turne. Sa i përket përgatitjeve, jemi shumë të kënaqur me kushtet, me mënyrën se si po punohet. E kemi nisur këtë grumbullim em 29 maj dhe kemi rreth 9 ditë që po punojmë nga Tirana në Austri. Lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar, të fokusuar në punën e tyre. Pjesa e klubeve është diçka që se kemi ne në dorë. Ka lojtarë që kanë luajtur 30-40 ndeshje me klubet, por ka lojtarë që kanë luajtur më pak. Nuk kemi mundësi të bëjmë gjë. Por ajo që ne kemi në dorë është që në këto ditë që kemi pasur këtu për t’u përgatitur, të punojmë sa më mirë. Lojtarët kanë marrë ngarkesën e duhur në prag të Europianit dhe mendoj që motivimi që kemi parë te të gjithë ata ka qenë shumë i mirë dhe janë shumë të karikuar.

Motivimi i lojtarëve që luajnë në Serie A? – Fakti që luajmë me Italinë na karikon 100%, motivimi është shumë i madh. Në vitin 1982, isha fëmijë, kam parë ndeshjen Brazil-Itali, një nga ndeshjet më të bukura të Botërorit. Brazili humbi atë ndeshje, kishte shumë brazilian që luanin në Itali, por nuk kishin nevojë të luanin në Serie A për të patur motivimin e duhur. Fakti që luan me Italinë t’i jep të gjitha motivimet, nuk ka rëndësi ku luan. E dimë shumë mirë që Italia ka një fanellë të rëndë, është një nga skuadrat favorite në këto turne. Për ne është e rëndësishme që të përgatitemi mirë.

E ardhmja? – Të gjitha energjitë tona duhet të jenë të fokusuara te ndeshjet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën dhe ndoshta me shpresën për të vazhduar përpara. Në këtë moment jemi 100% të fokusuar tek Europiani. Po punojmë në kushte shumë të mira këtu në Austri. Nuk jam aspak I shqetësuar për këtë pjesë, për pjesën e kontratës. Kemi përpara një turne shumë të bukur, është diçka fantastike që ne shkojmë përfaqësojmë Shqipërinë, përfaqësojmë kombin në këtë Europian. I gjithë ky udhëtim ka qenë shumë i bukur, kualifikimi, shorti në skenën e madhe, është gjithçka shumë e bukur. Jemi të fokusuar tek Europiani, më pas do të ulemi të flasim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.

Premio pas Europianit? – Nuk e di. E rëndësishme për ne është të punojmë dhe të luftojmë fort për çdo pikë. Është nder për ne të marrim pjesë në Europian dhe raporti jonë me FSHF-në dhe Presidentin Duka është shumë i bukur. Po përjetojmë një aventurë shumë fantastik në Euro.

Shqetësimi më i madh që keni në prag të ndeshjes së parë me Italinë – Do të doja të shikoja më shumë pjesën difensive. Sidomos në ndeshjen e nesërme me Azerbajxhanin, është një mundësi shumë e mirë. Jam i shqëtësuar për ndeshjen me Italinë, është një përballje shumë e fortë. Është një turne që ka një dinamikë shumë të shpejtë. Kemi dhe 7-8 ditë përpara se të shkojmë te sfida jonë hapëse. Aktualisht po mendojmë për sfidën e nesërme, një miqësore shumë e vlefshme për ne, ndaj një skuadre të mirë si Azerbajxhani, që mund të na vendosë në vështirësi. Pas kësaj sfide ne do të ulemi të bëjmë edhe analizat tona, të analizojmë ekipin, qoftë në aspekt individual, por edhe ekipor. Këto miqësore na japin një mundësi të shohim se ku jemi dhe do na ndihmojnë shumë që të përgatitemi se ku jemi.

Entuziazmi para Italisë, deklaratat për fitore? – Ne kemi shumë respekt për rivalët tanë, Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Mbi të gjitha kemi shumë respekt për turneun, për Euro 2024. Nuk i kam dëgjuar këto deklarata, por ju siguroj 100% që ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi tre rivale jo të fortë në grup, por tre rivalë shumë shumë të fortë. Sigurisht kemi respekt për rivalët. Kemi parë gjithë këto ditë karikimin e duhur te lojtarët. Prej 9 ditësh përgatitemi për të shijuar sa më mirë Europianin. Entuziazmi, nëse pyesni për të, është i mirë për të marrë pikë, për këtë jam dakord. Por nëse themi që shkojmë për të mundur Italinë, apo gjëra të këtij niveli mendoj se nuk është e drejtë. Jam I bindur që kemi lojtarë shumë seriozë dhe ne duhet thjeshtë të punojmë, të jemi të përulur, të sakrifikojmë sa më shumë. Në grup nuk kemi 3 skuadra që duan të kualifikohen, pro që hyjnë në këtë turne për të fituar trofeun. Ne nga ana tjetër kemi entuziazmin e duhur për të luftuar për çdo pikë. E kemi thënë shpesh, në një ndeshje futbolli mund të ndodhë gjithçka, mrekulli. Jam i kënaqur që lojtarët e kanë kuptuar që në momentin që kemi nisur punën, që ne jemi një. E pashë këtë në Varshavë me Poloninë, lojtarët bënë paraqitje të mirë. Më kanaqi fakti që e kuptuan se ajo ishte mënyrë e duhur për të zbritur në fushën e lojës, me zemër, me sakrificë.

Abrashi, na surprizoi rikthimi i tij? – Abrashi ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare edhe në kualifikuese. Ka qenë në tre ndeshje, në mars dhe pastaj në ndeshjet e qershorit. Abrashi ka luajtur me klubin dhe ka bërë një sezon shumë të mirë.

Mund të na konfirmoni disa emra nga formacionin meqë është miqësore? – Duhet të respektoj të gjithë lojtarët, nuk shkon që ta them formacionin dhe lojtarët ta mësojnë nëpërmjet medias. Kemi stërvitje dhe kemi proceset tona të punës. Një emër e thashë ai është Asani.

Sulmuesi Taulant Seferi ishte ulur në krah të trajnerit Silvinjo ditën e sotme dhe foli për përgatitjet e skuadrës në prag të miqësores së dytë të Kombëtares shqiptare ndaj Azerbajxhanit, që do të luhet nesër në stadiumin “Haladas Sportkomplex” në Hungari. Sulmuesi kuqezi u shpreh se ekipi po përgatitet dhe po punon shumë fort në këtë fazë përgatitore, ndërsa  foli edhe për konkurrencën brenda skuadrës si edhe për kundërshtarët në Europian. Seferi siguroi se e gjithë skuadra do të japë maksimumin në finalet e Europianit.

Europiani po afron, si është atmosfera brenda grupit? – Gjatë kësaj periudhe kemi punuar shumë fort, me intensitet të lartë me të gjithë stafin. Është krenari të jesh pjesë e Kombëtares, ndjesi shumë e mirë. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi është që jemi të gjithë bashkë dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe mezi po e presim Europianin. Po punojmë fort.

Si iu duk Seferit Arbër Hoxha dhe a po rritet konkurrenca në sulm? – Arbër Hoxha është talent i madh, një lojtar me cilësi shumë të mira dhe jam i lumtur që luajti dhe ka vendosur të luajë për Shqipërinë. Pa dyshim që kur ka konkurrencë, edhe grupi bëhet më i fortë, ekipi bëhët më i fortë dhe kjo është diçka e mirë për Kombëtaren shqiptare.

Rritja e Seferit në këto dy vite – Futbolli ka ulje dhe ngritje, por unë kam shikuar përpara dhe kam pasur qëllimin për të bërë më të mirën time dhe të jem gati për Kombëtaren. Zoti ka dashur që unë të jem këtu dhe kam punuar fort për këtë pjesë dhe shpresoj që do të jemi në formën më të mirë dhe të japim maksimumin.

A e sheh Europianin si mundësi për të treguar më shumë vlera? – Europianin nuk e shoh për kontratë, por si gjënë kryesore për të gjithë kombin shqiptar. Ne jemi këtu për të dhënë dhënë maksimumin dhe për të punuar fort për Kombëtaren shqiptare. Transferimin nuk e mendoj tani, e mendoj pas Europianit.

Ke ruajtur gola për Europianin? – Ne jemi sulmues, duhet të bëjmë gola. Po punojmë fort dhe jemi të gjithë mirë, pa lëndime. Na mbetet vetëm të punojmë fort, të përgatisim çdo ndeshje në maksimum dhe ia lëmë kohës.

Miqësoret e Kroacisë dhe Italisë, cila ju duket skuadra që mund t’ju hapë më shumë probleme në grup? – Ndeshjet dallojnë nga njëra-tjetra. Ne kemi një grup të fortë, kemi besim. E gjithë ajo që duhet të bëjmë është të japim maksimumin, të përgatisim ndeshjet me radhë, të kemi shpirtin luftarak. Ajo që ka ekipi ynë prej ditës së parë kur ka ardhur trajneri është të jemi të bashkuar dhe të jemi një.

Deklarata e Silvinjos që lidhet me marrëdhënien që kanë futbollistët shqiptarë me fanellën kuqezi – Jemi shqiptarë dhe jemi shumë krenarë për këtë që bëjmë për këtë fanellë që e veshim dhe pa dyshim që kjo është një fanellë shumë e rëndë. Jemi të lumtur dhe ne për këtë fanëllë duhet të japim maksimumin. Shpresoj që do të kemi rezultate të mira./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!