Para shortit, Egnatia, Partizani, Vllaznia e Tirana mes…dilemave

Egnatia në turin e parë të Ligës së kampionëve dhe Partizani, Vllaznia e Tirana në Conference League, janë katër skuadrat e Abissnet Superiore që do përfaqësohen në Europë gjatë muajit korrik 2024.

Ndonëse Egnatia pritet ta nisë aventurën e dytë në Kupat e UEFA-s më 9 ose 10 korrik, fillimisht skuadra fituese e kampionatit shqiptar dhe Kupës së Shqipërisë (2023-2024) do duhet të mësojë emrin e rivalit gjatë shortit që pritet të hidhet më 18 qershor.

Sikundër dhe Partizani, Vllaznia e Tirana të cilat po me 18 qershor do të njohin rivalët e tyre e më pas për të nisur me sfidat e vajtjes të datës 11 korrik.

Po si vijnë skuadrat ‘europiane’ përpara se të nisin fazën përgatitore?

Egnatia ka ruajtur grupin (së paku deri tani) me stafe të konfirmuara e futbollistët që mbyllën sezonin. I vetmi i larguar Lemine. Në pikëpyetje mbetën Ibrahimoglu dhe Ndreca drejt të cilëve ka oferta të tundueshme.

Partizani nuk ndihet. Te të kuqtë pasi është besuar stafi teknik, flitet vetëm për largime. Atanaskoski, Skuka, Zekolli e kanë përfunduar ‘mandatin’. Në hyrje zero lëvizje.

Vllaznia duket skuadra më e interesuar për të patur një tjetër përqasje në Ligën e Konferencës por jo vetëm. Ka larguar një futbollist ‘superior’ si Esin Hakaj por dhe Ajdareviç, Gomesh e Boshnjaku (prezantuar dje te FC Suhareka e trajnerit të ri Shpëtim Duro) teksa ka afruar Kahrimanoviç,Ardit Deliun, Melos Bajramin dhe ka gati rikthimin e Gurishtës.

Te Tirana e gjithë situata duket e mjegullt. Bardheblutë pasi larguan thujase gjithë ekipin, dje emëruan Bledi Shkëmbin si trajner duke hapur udhë për konfirmime futbollistësh të cilët kanë qarkulluar si elementë për të veshur bluzën e Tiranës. Mes tyre Fatmir Prengaj apo Patrik Treni. Rikthimi i Najdovskit qartësisht para kompozimit të një grupi dinjitoz. /Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!