Abilaliaj: Ndaj Egnatias duhet fituar

Partizani do të luajë nesër për javën e 13-të Abissnet Superiore në 13:30 sfidën delikate me Egnatian në Rrogozhinë. Para saj, Arbër Abilaliaj, drejtori sportiv ndërsa prej 5 ndeshjeve drejton të kuqtë, u shfaq sot në konferencën për shtyp, duke dhënë përgjigjet sipas specifikave të tyre.

Abilaliaj:

Si e prisni ndeshjen me Egnatian?-“Kjo është një ndeshje shumë e vështirë, një ndeshje që ka specifikë tjetër me të tjerat. Një ndeshje që duhet vlerësuar dhe e kemi vlerësuar në maksimum. Një kundërshtar që në krahasim me të tjerët është atipik, ka konsolidim në krahasim me të tjerët, ka edhe kualitet, patjetër. Për këtë arsye është në nivelin që është, besoj se do të japim një ndeshje të bukur, të luftuar, por kam përshtypjen që është një ndeshje mbi të gjitha për t’u fituar.

Do luftojmë me shumë kujdes, me shumë përulësi, gjakftohtësi dhe në fund karakteristikën tonë, me shumë agresivitet.

Për çfarë i trembeni Egnatias? –Mendoj kualitetin që ka në pjesën përpara, janë lojtarë me eksperiencë, kualitet e forcë fizike të rëndësishme. Patjetër një skuadër e rëndësishme, pa kualitete të rëndësishme para nuk mund të arrijë objektivat që i ka vënë vetes. E ka treguar edhe këto 13 javë, një skuadër që ka qenë e konsoliduar në mënyrën se si ka luajtur, një pjesë të mirë të kundërshtarëve i ka dominuar dhe fituar me meritë, është ku duhet të jetë për mënyrën se si ka performuar për këto ndeshje.

Ndeshje vendimtare?-Nuk do të thosha që është vendimtare, është një ndeshje e cila na lejon një bonus moral përveç tre pikëve, për të rritur vetëbesimin dhe për të vazhduar procesin e rritjes së të rinjve në përbërje dhe kjo është e rëndësishme. Nuk mendoj se është vendimtare për kampionatin se jemi vetëm në javën e 13. Është ndeshje për t’u luajtur, pak keqardhje që luhet në një orar jo normal për një ndeshje kaq të rëndësishme, por këto janë rregullat dhe ne duhet t’i respektojmë.

Deri diku një punë të mirë e kemi bërë në këtë sezon duke pësuar shumë pak gola. Kjo është një ndeshje që duhet luftuar e luajtur minutë për minutë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm duke pasur parasysh që luhet në fushën e Egnatias. E thashë edhe një herë që dëshira dhe ndoshta ego që do të ketë ekipi i Egnatias për të fituar ndeshjen mund të jetë edhe në favorin tonë se ne shkojmë për të luajtur minutë pas minutë e luftuar për çdo centimetër fushë në stadiumin e Egnatias.

Situata me dëmtimet?-Përveç rikthimit të Hadrojt që është afër ekipit e ka zhvilluar seanca stërvitore normale, jemi mëse të lumtur që kthehet një forcë e rëndësishme dhe në orët në vazhdim do të shohim nëse do të jetë opsion nga fillimi apo jo, nga rikthimet që kemi pritur vetëm ai është afër ekipit që stërvitet me ngarkesë të plotë.

Rikthehet Hoxha… -Ai është stërvitur normalisht. Një pikë e rëndësishme sa i përket aktivizimit të portierëve është edhe trajneri i portierëve që i sheh çdo ditë, jemi të qetë se nëse është Albani apo Pano, porta është në duar të sigurta dhe kjo është vlerë e jashtëzakonshme e repartit të trajnerëve të portierëve që punojmë me ta.

Me 6 fitorre radhazi keni barazuar rekordin e mëparshëm…– Ka qenë periudhë e mirë e kampionatit dhe ekipit, ka qenë ekip që ka pasur në përbërjen e vet kualitet. Ndoshta ka qenë një kampionat jo me rivalitet si kohët e fundit, por gjithsesi çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe asnjë ndeshje nuk mund të fitohet rastësisht. Mund të fitosh një e dy, por jo në vazhdimësi dhe them edhe që Partizani i këtij sezoni në krahasim me atë Partizan ka një pikë mjaft të rëndësishme që është pjesa dinamike e përballimit të ndeshjeve dhe është totalisht një gjë tjetër në krahasim me atë Partizan të atëhershëm.

E keni pasur shok skuadre Shehin do ta kesh dhe në staf?-Të shikojmë.E kemi pasur shok skuadre, mund ta kemi shok stafi, mund të vazhdojmë ta kemi vetëm shok (qesh). Kjo është një gjë që mbetet për t’u parë. Jemi fokusuar te ndeshja, nuk mendojmë gjëra të tilla se ky ekip, me këtë entuziazëm që ka, është e mirë të përmirësohet te vetvetja, kualiteti. Kjo ka rëndësi mbi çdo gjë. Në momentin që futbollistët janë të ndërgjegjshëm se kush janë e ku duhet të shkojnë, atëherë ky ekip ka të ardhmen e ndritur.

Largime?-Nuk e mendoj. Kemi bërë një projekt që ky ekip të arrijë pjekurinë maksimale në verë kur janë kompeticionet europiane. Kurrë mos thuaj kurrë, se 1-2 elementë edhe mund të ikin, por për këtë ekip janë marrë masat që në fillim. Mund të largohen 1-2 por edhe afrohen. Mund të quhen blerje edhe ata që kthehen pas një periudhe të gjatë si Hadroj, Mba, Da Silva apo Sota i cili vazhdon të jetë përsëri i dëmtuar. Kështu që në hyrje e dalje janë marrë masa në këtë drejtim, 5 më pak a më shumë, ky ekip ka mundësi të bëjë vetëm më mirë se kualiteti dhe fryma është për të bërë përpara”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!