Euro 2024/ Kombëtarja zhvillon seancën e fundit, nesër drejt Çekisë

Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet në ditën e dytë për dy ndeshjet e shtatorit ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Skuadra ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në në fushat e Shtëpisë së Futbollit.

Departmenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se përveç mesfushorit Qazim Laçi, i cili është lënë pushim edhe sot për shkak të gjendjes gripale, trajneri Silvinjo i ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët e tjerë të grumbulluar për këto dy sfida.

Fillimisht, kuqezinjtë kanë punuar në palestër e më pas kanë punuar në fushë, ku bashkë me lojtarët e Kombëtares A, janë stërvitur edhe shtatë futbollistë të ekipit U-19. Skuadra është fokusuar në aspekte të veçanta të lojës gjatë stërvitjes së pasdites.

Sakaq, edhe paraditen e sotme, kuqezinjtë kanë zhvilluar një tjetër seancë stërvitore me dyer të mbyllura. Futbollistët e ekipit kombëtar u ndanë në dy grupe, duke zhvilluar stërvitje të diferencuara në reparte të ndryshme të fushës.

Kjo është stërvitja e fundit në Tiranë, pasi Kombëtarja do të niset mëngjesin e nesërm drejt Pragës për sfidën e parë zyrtare të muajit shtator.

Shqipëria do të përballet me Republikën Çeke më 7 shtator, ora 20:45, me ndeshjen që luhet në stadiumin “Fortuna Arena”, ndërsa më 10 shtator, kuqezinjtë do të presin Poloninë në stadiumin ‘Air Albania’.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!