Karakter ekonomik, Abissent Superiore me skemë të re

Skema me variantet e propozuara nga UEFA për ndryshimin e kampionatit, ka dhe opsionin për të cilin klubet duket se kanë rënë dakord, e madje dhe detajet organizative, apo dhe përfitimet e pritshme ekonomike. Bëhet fjalë për variantin 5 të opsionit të parë:

Pas katër fazave kampionat (36 javë), 4 skuadrat e para në renditje, do të zhvillojnë një mini turne, të tipit Final Four mes tyre, ku do përballen 2 herë me njëra-tjetrën, por jo me sistemin vajtje-ardhje, pasi të gjitha takimet do të luhen në Air Albania.

Një minikampionat me 12 takime gjithsej që do të luhen në harkun kohor të diçka më pak se dy javëve, dhe renditja e të cilit do të përcaktojë titullin kampion, si dhe skuadrat që shkojnë në Europë, duke nisur nga vendi i parë që luan në Champions dhe ndjekësit në Conference League.

Vendi i parë në kampionatin e rregullt? Avantazhet janë dy: Së pari, skuadra që kryeson kampionatin në 36 javë ka avantazhin se në rast të përfundimit të FINAL FOUR me pikë të barabarta me një skuadër tjetër do të jetë ajo që do të klasifikohet më sipër. Së dyti, skuadra që renditet e para pas 36 javëve do të jetë ajo që do të marrë dhe bonusin financiar të akorduar nga FSHF prej 100 milionë lekësh, pavarësisht se si shkojnë gjërat në Final Four.

Final Four do të jetë një mini turne mjaft me 4 skuadrat më të mira. Përse të gjitha ndeshjet në Air Albania dhe jo me sistem vajtje-ardhje në stadiumet respektive. Përgjigjja edhe këtu është e thjeshtë, sepse impianti kombëtar në sajë të komoditetit garanton edhe numrin më të madh të spektatorëve, përllogaritet një mesatare prej rreth 14 mijë për ndeshje, por edhe çmime më favorizuese të biletave.

Fitimet: Pritet që që në vitin e parë vetëm nga Final Four të gjenerohen rreth 1 miliardë lekë të ardhura. 12 ndeshje me një mesatare të kënaqshme në Air Albania, dhe përveç biletave edhe një pjesë e konsiderueshme nga e drejta televizive, apo marketingu.

Shuma e përfituar do të jetë padyshim një bonus i madh për klubet e superiores. Parashikohet që 60-70% e saj të shpërndahet për 4 ekipet pjesëmarrëse, natyrisht në bazë të renditjes në këtë minikampionat, me një zbritje graduale për çdo vend, ndërkohë që 30-40% e kësaj shumë do të shpërndahet për 6 ekipet e tjera të kampionatit të rregullt në formën e një bonusi solidariteti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!