Ballkani dhe Daja triumfi historik në grupe

Conference League në Sivas/ Grupi G: Sivaspor – Ballkani 3-4

Ballkani vijon të magjepsë me paraqitjet e tij në grupet e Conference League, teksa sot ka arritur një fitore të rëndësishme por dhe historike ndaj Sivasporit në Turqi në shifrat 3-4.

Pësuan gol që në sekondat e para, përmbysën rezultatin, u barazuan sërish dhe shënuan në shtesë për 3 pikët e para në Grupin G. Skuadra e Ilir Dajës prodhoi gjithçka në këtë sfidë që u duk e pambarimtë.

Vendasit gjetën golin shumë shpejt, por Ballkani nuk u pajtua me atë avantazh të menjëhershëm. Pas 20 minutash lojë dhe aksioneve të njëpasnjëshme, Thaqi realizon një gol mjaft të bukur duke rivendosur baraspeshën.

Pak minuta më pas, është një tjetër aksion i kosovarëve që me finalizimin e Potokut, kalon në avantazh miqtë duke dërguar skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes me optimizëm.

Nuk mbaron këtu, pasi Ballkani do të gjejë sërish golin në pjesën e dytë me një aksion të ndërtuar mjaft mirë dhe me diagonalen e Korenicës që dërgon topin në rrjetë për të tretën herë.

E kur u duk se kosovarët kishin gjithçka në dorë, zgjohen vendasit që si fillim shënojnë me Jesiljurt dhe barazojnë në minutën e parë shtesë falë golit të Jatabare.

Por, Ballkani e kishte ndarë mendjen për t’u kthyer me fitore dhe me një kundërsulm të shpejtë rimerr avantazhin, kësaj radhe atë përfundimtar, me golin e Krasniqit duke i dhënë fund një sfide të gjatë, të vështirë e jo shumë të qetë.

Me këtë fitore Ballkani ngjitet në kuotën e 4 pikëve duke barazuar Slavia Pragën dhe Sivasporin në Grupin G që mbyllet nga Kluzh përkohësisht.

Ndeshja e radhës sërish me Sivaspor teksa në 13 tetor do të luhet në “Fadil Vokrri” të Prishtinës./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!