81 vjetori i lindjes/ Legjenda Fatmir Frashëri në kujtesë

Speciale nga Bedri ALIMEHMETI ‘Mjeshtër i Madh’

Skeda e Frashërit:

Datëlindja: 3 prill 1941

Vendlindja: Tiranë

Shtatlartėsia: 1,79 cm

Roli: Mbrojtës i djathtë

Numri në fanellë: 3

Arsimimi: Teknikumi i Fiskulturës, Universiteti i Sporteve, dega mësuesi

Gjuhë të huaja: Anglisht, Italisht

Karriera si futbollist: Të rinjtë e Tiranës në dy sezone 1957 dhe 1958

Me ekipin e të rriturve: Partizani: 1962-1963 dhe 1963-1964; 17 Nëntori: 1964-65, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Me ekipin kombëtar: 12 ndeshje titullar. Ndeshja e parë me Danimarkën qershor 1963 e fundit me Poloninë tetor 1970

Karriera si trajner: 17 Nëntori 1970-1980 ekipi i të rinjve, ekipi Shpresa dhe ekipin e të rriturve; Naftëtari 1980; Besa 1981-1982; Dinamo 1985-1986; Tirana 1990-1991; Tirana 1993-1994; Tirana 2003.

Tituj e trofe si futbollist: Kampion me Partizanin 1962-1963 dhe 1963-1964; Medalje e argjend – Vendi II me Partizanin në Hanoi (Vietnam) 1963 në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës. Fitues në anketën “11-shi më i mirë në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës”.

Trofe e tituj me Tiranën: 1957 dhe 1958 Kampion me të rinjt; 1959 Fitues i Kupës XV Vjetori i Clirimit.

Kampion me 17 Nëntorin: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970. Pozicione drejtuese: 1992-1995 Sekretar I FSH; 2004 President i FK Tirana; President nderi I FK Tirana.

Vlerësime:

Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”; “Mjeshtër i Merituar”; “Nderi i Sportit Shqiptar”; “Legjenda e Futbollit Shqiptar; Urdhëri “Naim Frashëri” Kl. II.

————————————————————————————-

Na mungon prej gati tre vitesh. Sot po të ishte mes nesh do të festonim me të 81 vjetorin e ditëlindjes. Po ku dhe kur nisi rruga sportive e “Mjeshtrit të Madh” Fatmir Frashëri?

Fëmijëria dhe dora e Xhavit Demnerit, që e shoqëroi gjithnjë

Në fillim të viteve 50-të në një mëhallë disi periferike nga “Tirana e re”, aty nëpër sheshet e saj duke bredhur pas topit me bashkëmoshatarët nisi rrugëtimin drejt botës së futbollit “Mimi”, kështu thirrej nga shokët e miqtë e ngushtë Fatmir Frashëri.

“Sa shumë futboll luhej në ato vite! – thoshte gjithnjë ai, – Një ditë qe shoku im i fëminisë Aurrel Verria, që më mori me vete tek fusha e stërvitjes të të rinjve të Tiranës, mes të cilëve qe dhe ai. Në atë kohë isha nxënës në teknikumin e fizkulturës dhe gjatë një ndeshje me të rinjtë e Tiranës, trajneri Xhavit Demneri më kishte ndjek me kujdes dhe i kish lënë porosi Aurrelit të më merrte me vete.

Profesori u gëzua dhe më bashkoi me grupin e djemve. Atë ditë në programin atletik kishim kërcim së gjati. Fillimisht kur më erdhi radha u ndrojta dhe u vonova paksa por atë çast mbi shpatulla ndjeva dorën e profesorit që plot ëmbëlsi më shtyu. “Ec përpara, – më tha, – atje me shokët”. Dhe ngrohtësia e asaj dore më ka shoqëruar sa herë që zbrisja në fushën e lojës”.

Me të rinjtë e Tiranës

Tek ekipi i të rinjve veç Aurrel Verris, Fatmiri gjeti: S. Halilin, P. Panon, P. Bukovikun, E. Casllin, O. Memën, L. Bytyçin, S. Pavlin, B. Kulhekun, P. Perollin, N. Ballën, T. Gjokën etj., të cilët do të bënin emër dhe do të linin gjurmë në futbollin shqiptar. Mes atyre djemve të talentuar nën drejtimin e seleksionuesit të shquar Xhavit Demneri, cilësitë e tij si futbollist njohën arritje të cilësisë së lartë. Këtë fakt sapo e konstatoj trajneri Alla, e thirri menjëherë në ekipin e parë. Dhe ishte vetëm 17 vjeç, kur zuri vend përfundimisht në formacionin bardheblu.

Trofeu i parë

Bashkë me Halilin, Panon, Bytyçin, Casllin, O. Memën, P. Bukovikun etj., që shumë shpejt u inkuadruan në ekipin e parë për krah: B. Stërmasit, E. Shehut, M. Metanit, E. Radës dhe T. Baçit i dhanë ngjyrat e një futbolli modern lojës së Tiranës, pa thënë se ishin vërtet shenjat e një ekipi të madh që po vinte siç edhe ndodhi në futbollin shqiptar. Ndërkohë ai spikat në takimet gjatë turneut një mujor në BRSS, pas përfundimit të të cilit shijon fitoren e trofeut të parë, Kupën e XV Vjetorit të Çlirimit (1959).

Në radhët e Partizanit

Në vitin 1962 edhe pse po ndiqte studimet në IKLF “Vojo Kushi” thirret nën armë dhe luan për dy sezone me radhë për Partizanin dhe shpallet dy herë radhazi kampion. Me Partizanin që renditet i dyti në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës, në Hanoi (1963), fiton medaljen e argjendtë dhe shpallet fitues në 11-shen e turneut.

Në gjirin e ekipit të zemrës

Pas kësaj arritje kthehet pranë ekipit të tij të zemrës dhe pikërisht në atë sezon 1964-1965 17 Nëntori triumfon mbi hegjemoninë e Partizanit e Dinamos, duke u shpallur kampion kombëtar për herë të parë paslifte. Dhe pse ishte titulli VII në atë kohë numërohej i pari(!). Pa diskutim një ndihmesë të veçantë në fitimin e këtij titulli e të atyre që pasuan, i takon edhe mjeshtrit Frashëri.

Duke u aktivizuar herë si i majtë apo në qendër të mbrojtjes, po kryesisht si mbrojtës i djathtë, ai mbetet një mbrojtës modern tipik shembullor. Por jo rrallë, Mimin e shihje edhe në rolin e sulmuesit të krahut të djathtë, ku dallohej veçanërisht në harkimin e përkryer të topave e në rivëniet me dorë nga vija anësore, që ishin të barazvlefshme me goditje këndore.

Me fanellën e Kombëtares

Fizikisht i fuqishëm, tejet i përsosur teknikisht, mbështetës e bashkëveprues me shokët në manovrat ofensive e difensive, Frashëri u bë i padiskutueshëm në formacionin bazë të ekipit kombëtar, ku kontribuoi për 12 ndeshje me radhë. Në radhët e të cilit ndeshja e tij më e mirë mbetet ajo e 23 nëntorit të vitit 1965, Shqipëri – Irlandë e Veriut 1-1, ku me ndërhyrjet e sakta e deciziv bllokoi për 90 minuta të madhin Xhorxh Best, yllin e “Manchester United”.

Kupa e Kampioneve dhe Helenio Herrera

Në shtator 1965 në turin e parë të Kupës së Kampioneve (sot Champions League) 17 Nëntori u ndesh me Kilmarnok i Skocisë (0:0, 0:1). Për ndeshjen e kthimit në Skoci, shtypi sportiv britanik i befasuar nga loja e bardhebluve ndër të tjera theksonte: “Treshja difensive e “17 Nëntorit” me Halilin, Frashërin e Kasmin, ja mbrojtja që i duhet trajnerit të Interit, brazilianit Helenio Herrera”, në ato vite i famshëm për aplikimin në ekip të lojës në mbrojtje.

Standardi i Liezhit, batuta e Myslym Allës dhe mbresat nga takimi me Ajaksin

Në vitin 1969 për Kupën e Kampioneve “17 Nëntori” barazon 1:1 në Tiranë me kampionen e Belgjikës Standard i Liezhit. Por në ndeshjen e parë luajtur në Liezh nuk udhëton kapiteni Fatmir Frashri. Arsyeja? Një absurditet i pakuptimtë i asaj kohe. Tek po e përcillte ekipin në aeroport një zyrtar i lartë i sportit i thotë trajnerit Alla:“Rrugë të mbarë e me fitore”. “Ç’fitore kërkoni? – ia kthen ai – Ju po më çoni topall, doni fitore!! Ekipi pa Frashërin, do të thotë se është topall”. Frashëri mbi të gjithë karakterizohej nga vendosmëria e këmbëngulja deri më minutën e fundit të lojës.

Jo më kot trajneri Alla është shprehur për të:

“Në rast se Halili e Pano kishin lindur për futbollin, Frashëri u bë një futbollist i madh vetëm në saj të vullnetit e këmbënguljes së çeliktë në stërvitje”. – Një vit më vonë mbresa e emocione të pashlyeshme do të mbeten në kujtesën e tij dy takimet (2:2, 0:2) me gjigantin e futbollit botëror Ajaksin e Amsterdamit.

Largim i detyruar

Në sezonin 1971-1972 bardheblut garuan për titullin deri në ndeshjen e fundit me Vllazninë. Por ishin shkodranët që dolën fitues. Ndërkohë një urdhër krejt absurd e i pakuptimtë, dalë sigurisht nga zyrat e autoriteteve madhore të shtetit diktatorial, por që askush nuk e tha burimin e vërtetë, largonte nga 17 Nëntori “boshtin” kryesor të ekipit: Frashërin, Bukovikun, Kazanxhiun, Ali e Osman Memën, Ishkën, Tafajn e Xhaçkën. Të gjithë futbollistë me vlera, që kishin ende edhe shumë energji për të dhënë për ekipin. Pa thënë që largoheshin në mënyrë arbitrare pa u mundësuar një ceremoni lamtumire, atyre futbollistëve që kishin dhënë gjithçka për ngjyrat bardheblu dhe jo vetëm.

Karriera si trajner

Fillimisht Frashëri drejtoi ekipin e të rinjve të Tiranës, ku falë punës së tij në radhët e “17 Nëntorit” spikatën emra të tillë si: Minga, Muça, Baçi, Josa, Naçi, Omuri etj., emra që më pas bën epokë tek bardheblutë dhe ekipin kombëtar. Në sezonet 1975-1976 dhe 1976-1977 në krye të ekipit të parë i dhuron klubit dy Kupa të Shqipërisë. Peng i mbetet fakti që nuk arrin të prekë titullin si trajner i ekipit të parë. Më pas drejton në bankinë Naftëtarin e Kuçovës, Besën e Kavajës dhe me Dinamon më 1985-1986 shpallet kampion.

Ëndrra të realizuara

Veçmas plotësimit të personalitetit të tij si futbollist i nivelit të lartë, të një mbrojtësi modern me tipare sulmuese tejet i avancuar për kohën e në të njëjtin hap me futbollin evropian, pa thënë që ishte edhe një xhentëlmen-zotëri i vërtetë në fushën e lojës. Ai me bashkëshorten e tij zonjën Mira Përmeti një miss i pashpallur i viteve 60-të, krijuan një çift familjar të mrekullueshëm, cilësuar nga bashkëkohësit “simbol i të dashuruarve”. Të tre fëmijët, dy vajzat Ani e Lea dhe djali Andi ua mbushën shtëpinë plot me nipër e mbesa. Ndërkohë në sezonin 2002-2003 duke qenë në krye të bankinës bardheblu realizon pengun e jetës, shpallet kampion i Shqipërisë me Tiranën, skuadrën ku u rrit e u formua personaliteti i tij si futbollist.

Beteja e pa fituar dhe ikja

Luftoi fort dhe gjatë me sëmundjen e rëndë e të pashërueshme dhe pse u përpoq me të gjitha forcat nuk arriti ta arkivojë atë betejë në arsenalin e pasur të fitoreve të tij. 19 korrik 2019. Ditë e dhimbshme, e rëndë dhe tejet e trishtë. Ikja e legjendarit të bardhebluve fisnik i pakrahasueshëm, që i dhe futbollit karakterin e pathyeshëm, grintën e pashoqe, mjeshtërinë unikale, pathyeshmërinë si askush, besimin deri në fund dhe mbi gjithçka kulturën njerëzore dhe zotnillikun e pashoq shndërroi të nxehtin e asaj dite në acar.

Pse jo?

Një memorial në sheshin përpara hyrjes për në tribunën qendrore të stadiumit “Selman Stërmasi” do të përjetësonte figurën e këtij futbollisti legjendar, padyshim pjesë e historisë së klubit Tirana por edhe e ekipit Kombëtar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!