FSHF organizon ndeshje sensibilizuese për Femra

Në Ditën Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi ditën e sotme një ndeshje miqësore femrash mes KF Tirana – FK Partizani. Ndeshja simbolike u luajt në ambientet e Kompleksit “Fari” dhe zgjati 30 minuta përfundoi me fitoren e ekipit të Tiranës në shifrat 3-0. Materiali i FSHF-së lidhur me këtë aktivitet sportiv ndërgjegjësimi… 

‘Në kuadër të Ditës Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi ditën e sotme një ndeshje miqësore mes skuadrave të ekipit kryeqytetas për femra, KF Tirana – FK Partizani. Ndeshja simbolike që u luajt në ambientet e Kompleksit “Fari” dhe zgjati 30 minuta përfundoi me fitoren e ekipit të Tiranës.

Në fillim të ndeshjes, dy kapitenet e skuadrave dhanë nga një mesazh për të gjitha femrat.
Kapitenia e ekipit të Partizanit u shpreh se “Shoqëria ka nevojë për ne. Duhet ta nisim nga vetja dhe duhet t’u themi mikeshave tona, motrave, kushërirave dhe mbi të gjitha, nënave tona, që i kemi aq të shtrenjta, se një vizitë te mjeku për një mamografi për të parandaluar kancerin e gjirit është e domosdoshme që e nesërmja jonë të jetë e qeshur dhe e ardhmja jonë të jetë më e shëndetshme se sot. Jo vetëm tetori rozë, por të gjithë muajt duhet të jenë rozë”.
Kapitenia e ekipit të Tiranës theksoi se “Shëndeti për çdo vajzë, grua dhe nënë është i rëndësishëm për një shoqëri të shëndetshme. I ftoj të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë diagnostifikimin e parakohshëm për të parandaluar këtë sëmundje”.
Në fund të ndeshjes, futbollistja e ekipit të Tiranës, Klea Kordalli, i bëri thirrje të gjitha femrave që të diagnostifikohen në kohë. “Unë si futbolliste që jam kujdesem shumë për veten time . Kam një mesazh për të gjitha gratë dhe nënat: Të diagnostifikohen në kohë për kancerin e gjirit sepse duke e kontrolluar veten në kohë ne mund të shmangim rrezikun”.
Ndërsa futbollistja e Partizanit, Bleona Koka, u shpreh: “Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit për të gjitha gratë dhe vajzat. Një kontroll sot, shmang një rrezik nesër”.
Trajneria e ekipit të Partizanit, në fjalën e saj, theksoi: “Është shumë e rëndësishme që në këtë ditë të veçantë, të gjitha ne femrat që jemi duke u marrë me sport dhe me futboll, të bëjmë një thirrje dhe një ftesë për të gjithë nënat, mamatë, femrat. Të luftojmë me kohën dhe të parandalojmë të gjitha problemet që mund të kemi nesër. Është shumë i rëndësishëm parandalimi më shumë sesa mjekimi”.
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit i bën thirrje të gjithë femrave që të tregojnë kujdes maksimal për të parandaluar kancerin e gjirit i uron të gjithë femrave të prekura nga kjo sëmundje betejë sa më të lehtë dhe shërim të shpejtë!’

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!