Brazili “hakmerret”, finalja e 20-të për të…

“Copa America”, gjysmëfinalja: Brazil-Argjentinë 2-0 (Gabriel Xhezus 19’, Firmino 71’)

● Brazili, finalisti i parë i edicionit të 46-të të “Copa America”. Tani në pritje të njohë rivalin për finalen e së dielës.

“El clasico” Brazil-Argjentinë, pas 94 minutash përfundoi. Ishte një finale e parakohshme, ishte nga ato ndeshje që nuk ke dëshirë të përfundojnë. Kishte klas dhe emocion.

Brazili shënoi dy gola me Gabriel Xhezus dhe Firminon, ndërsa Argjentina goditi dy here shtyllat me Aguerron dhe Mesin. Epilogu: Brazili kualifikohet për herë të 20-të në finalet e “Copa America”, ndërsa Argjentina kthehet në shtëpi…

“Penta campeones” eliminojnë “albiçelestët”, rivalët e tyre të përjetshëm kontinentalë, pikërisht në Belo Horizonte, një “hakmarrje” që vjen edhe si ngushëllim per ta, për atë humbje 7-1 të pësuar nga Gjermania pikërisht në këtë stadium, në Botërorin e 2014-s.

Gabriel Xhezus dhe Firmino ishin autorët e golave për “seleçaon”. Në të 19-tën minutë ishte Firminio që asistoi për Gabriel Zhezus, teksa shënonte 1-0 për Brazilin. Në të 71-tën, në momentet më të mira për argjentinasit, në një kundërsulm të shpejtë, Gabriel Zhezus bën gjithçka mire dhe kthen dhuratën. Firmino vetëm e shtyn topin në rrjetë dhe fikson fitoren 2-0 të Brazilit.

Interesant. Të dy golat brazilianë “importohen” nga Britania. I pari vjen nga Mançester Siti, kampion i Premier League, ndërsa i dyti nga “reds”-at e Liverpulit, kampion i Championsit.

Brazili e meritoi plotësisht fitoren. Ishte një skuadër më e harmonizuar dhe e balancuar në të gjitha repartet. Ndoshta ka humbur pak nga gjestikulacionet e Nejmarit, por nga klasi i tij jo.

Shiriti i kapiteni, Dani Alveshit 36-vjeçar, duket i ka dhënë rininë e dytë. Ndaj “albiçelestëve” ishte i shkëlqyer, një kapiten i vërtetë.

Argjentina, zhgënjimin e pagoi me eliminim. Mesi, me “Copa America” humbi një tjetër shans për t’i dhënë vendin të tij një trofe të madh ndërkombëtar. Për Botërorin e Katarit duhet pritur edhe tri vite. Jo shumë për të tjerët, por për “pleshtin” që është 32 vjeç, mbase edhe mund të jenë.

“Albiçelestët” kanë mjaft lojtarë klasi, por Lionel Skaloni tregoi se nuk di të bëjë skuadër, atë që ka më tepër nevojë Argjentina. Di Maria dhe Dibala, vetëm sa hynë ne fushë, thjeshte rutine. Kontributi i tyre, i papërfillshëm.

Brazilianët, që pas 30 vitesh organizojnë “Copa America”, për të mësuar emrin e rivalit në finale, tani duhet të presin gjysmëfinalen tjetër. Ate midis Kilit, kampione në fuqi dhe Perusë, ndeshje që do të luhet në Porto Alegre, në orën 02:30 të së enjtes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!