Prishtina gabon në “shtëpi”, vetëm 1-1!
Europa League, turi paraeliminator: Prishtina- St Joseph’s 1-1 (Dallku 28’(p)/ Juanfri 31’)
Nënkampionia e Kosovës, Prishtina, gaboi në ndeshjen e parë të turit paraeliminator të Europa League. Të enjten në mbrëmje, bardheblutë kryeqytetas nuk shkuan më tepër se barazimi 1-1 me skuadrën modeste St Joseph’s nga Gjibraltari.
Prishtina kaloi e para në epërsi. Në të 28-tën Shillova u ndal në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari akordon penallti. Nga pika e bardhë, veterani Dallku nuk gaboi dhe 1-0.
Tri minuta më pas, gjibraltarasit vendosin ekuilibër, pasi Juanfri ia arrin të shënojë. Në vijim, prishtinasit ngulmojnë, krijojnë raste, por shifrat 1-1 nuk ndryshojnë deri në fund të takimit.
Më 2 korrik, futbollistët e Prishtinës do të kenë rastin të tentojnë kualifikimin në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet në Gjibraltar.