Teutës i largohet një titullar, shkodrani Hakaj
Mbrojtësi i majtë Esin Hakaj, pa pritur dhe kujtuar, i ka dhënë lamtumirën Teutës. Në dy edicionet e fundit ai ka qenë një lojtar titullar dhe pike kyçe për skuadrën durrsake.
“Divorcin” me durrsakët e ka bërë të ditur vetë Hakaj, i cili nëpërmjet një postimi në “Facebook”, bën të ditur largimin e tij nga Teuta. Arsyet nuk bëhen të ditura.
“Përshëndetje! Sot zyrtarisht nuk jam më lojtar i Teutës. Dua të falënderoj drejtuesit dhe në veçanti presidentin Edmond Hasanbelliu, tifozët dhe shokët e ekipit për mbështjetjen. I uroj suksese ekipit të Teutës. Falëminderit,”–shkruan mbrojtësi i majtë shkodran Esin Hakaj.
Shkodrani 22-vjeçar, pas një përvoje të pasuksesshme te Partizani, sezonin e kaluar iu bashkua “djemve të detit”, duke luajtur në 29 takime, ndërkohë që sezonin sapo ka përfunduar, Hakaj mbajti veshur fanelën e Teutës në 26 ndeshje.