Gjyqtarët me flamur të “bardhë”…

Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptar, vendos të bojkotojë kampionatin pa afat. Lajmi është bërë publik nga vetë “xhaketat e zeza”, ndërsa sot kanë shpërndarë një deklaratë për mediat. Sipas Shoqatës së Arbitrave, janë disa arsye që i detyrojnë ata të ndërmarrin këtë nismë në prag të javës së 25-të.
Deklaratë për shtyp
Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar, e tronditur pas ngjarjes së dhunës ekstreme ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në Kamëz, ka marrë sot vendimin e saj për të bojkotuar ndeshjet e futbollit në nivel kombëtar.
Duke parë që nga java e parë e kampionatit dhe deri në të fundit ne ndjehemi të pasigurtë, sot ne vendosëm të themi: Mjaf! Mjaft më me kërcënime, fyrje e sharje. Mjaft dhe kjo është shumë më serioze dhe e rrezikshme me dhunë e ç’është më e rëndësishmja, mjaft më me pasiguri për jetën.
Njëzëri arbitrat mendojnë se eksperimenti i deritanishëm për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet e futbollit ka dështuar. Zëvëndësimi i tyre me polici private është një dështim tjetër tashmë i konsumuar.
Ashtu siç nuk kemi se ç’të presim më edhe nga eksperimenti tjetër i zbatimit të ligjit, i cili ka dështuar plotësisht, përderisa autorët e dhunës janë liruar sot, edhe se pamjet filmike janë shumë të qarta dhe media ka katër ditë qe e ka në qendër të vëmendjes këtë ngjarje.
I kërkojmë klubeve anëtare në FSHF të na mirëkuptojnë dhe të na mbështesin në vendimin që ne kemi marrë, kjo sepse vendimi që ne kemi marrë është e vetmja rrugë që gara të jetë sa më e vërtetë dhe korrekte.
Mjaft u eksperimentua. Ne kemi vendosur të mos luajmë me jetën tonë. Kështu nuk do të kthehemi për të gjykuar, deri sa të ndjehemi të sigurt dhe Policia e Shtetit të kthehet në stadiume dhe autorët e dhunës të ndëshkohen.
Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar.
Tiranë 06.03.2019