Vora ‘keqtrajton’ Tiranën në Laç, Skënderbeu ndalet në Lushnje
Abissnet Superiore, Java 2:
Vora – Tirana 3-1 (Karrica 35’ pen, 46’, Zuna 69’/ Paradinjo 85’)
Vora ka regjistruar fitoren e parë historike në Abissnet Superiore ku debuton këtë sezon. Në një “miniderbi” përballë bardhebluve të Tiranës, të besuarit e Bellajit dhuruan spektakël në stadiumin e Laçit ku luajtën si pritës.
Golin e parë të takimit e solli Karrica me anë të një 11-metërshi kur luhej minuta e 35’-të, ndërsa pak minuta nga starti i së dytës realizoi po ai për të dyfishuar shifrat. Gjithçka do të vulosej 20 minuta nga fundi falë Zunës që mposhti për të tretën herë portierin Tafas.
Nga ana tjetër bardheblutë e Miles u shfaqën pa shumë ide dhe entuziasëm në fushë ku të vetmen gjurmë e la Paradinjo me një gol mjaft të bukur realizuar nga një goditje dënimi.
Kështu, Vora feston fitoren e parë në Laç dhe merr pikët e para në kampionat, ndërsa Tirana duket se vazhdon me formën e sezonit të shkuar ku pas dy javësh të luajtura ka vetëm një pikë të grumbulluar.
Kategoria e Parë, Java 2:
Lushnja – Skënderbeu 1-1 (Korreshi 69’/ Ukici 8’)
Në “Roza Haxhiu”, Lushnja dhe Skënderbeu mbyllën 1-1 ndeshjen e javës së dytë në Kategori të Parë. Vendasit e panë vetën në vështirësi teksa korçarët kaluan shpejt në avantazh me Ukiçin për 0-1.
Ekipi vendas i cili rikthehet të luajë në “Roza Haxhiu” pas 7 muajsh arriti të barazojë me Korreshin në pjesën e dytë duke e ruajtur këtë rezultat deri në fund./Sara Gjidaj/
