Abrashi: E dashuroj Kombëtaren Kuqezi

Trajneri i Kombëtares shqiptare  Edoardo Reja dhe kapiteni i ekipit Amir Abrashi kanë dalë sot në konferencën zyrtare për media, në prag të ndeshjes që skuadra do të zhvillojë ditën e nesërme kundër Uellsit, duke nisur nga ora 18:00.

Në prononcimin e tij për mediat, Amir Abrashi nuk e fshehu kënaqësinë e të mbajtur shiritin e kapitenit në ndeshjen ndaj Uellsit, ndërsa u shpreh se ekipi ka kualitetin e duhur për të fituar ndeshjen. Ai theksoi se këto ndeshje, do t’i shërbejnë ekipit për t’u përgatitur për ndeshjet e shtatorit, ndërsa u shpreh se do të skuadra do të futet në fushë për tre pikët dhe për të bërë një lojë të mirë.

Ndjesia e të qenit kapiten i Kombëtares? – Është kenaqësi e madhe dhe nder i vecantë te jem kapiten i skuadrës se Shqipërisë, skuadër qe unë e dashuroj. Me padurim pres të fillojë ndeshja.

3 pikët apo loja e mirë, çfarë është më e rëndësishme? – Më e mira është që edhe të fitojmë edhe të luajmë mirë normal, por mendimi im është që në këto dy ndeshje të bëjmë lojën tonë dhe janë përgatitje e mirë për dy ndeshjet që kemi në shtator, por normal që do të hyjmë për të fituar që në këtë ndeshje dhe për të përforcuar ekipin.

Mundësi për të fituar ndeshjen? – Pse jo. Ata kanë skuadrën e fortë por edhe ne kemi kualitet për të fituar këtë ndeshje. Do të japim 100% dhe shpresojmë me rezultate pozitive.

A e sheh veten si lider i ekipit? – Mendimi im është po, unë e shoh veten si lider, me moshë dhe me vitet që kam luajtur me skuadrën, kam shumë eksperiencë dhe i ndihmoj me karakteristikat e mia, i ndihmoj djemtë e rinj dhe kjo është puna ime. Dhe të kesh shiritin, edhe nëse nuk e ke shiritin, është njësoj. Puna është të jesh lider në ekip. Dhe unë e ndjej si lider veten.

Uellsi? – Uellsi eshte fizikisht shume i fortë dhe luan futboll te mirë. Kanë karakteristikat e futbollistëve britanikë dhe nuk është kundërshtar i thjeshtë. Kemi parë gjerat pozitive dhe negative në stërvitje me trajnerin.

Trajneri Edoardo Reja, teksa iu përgjigj interesit të mediave, u shpreh se Uellsi është një skuadër shumë e mirë, teksa analizoi edhe pikat e tyre të forta dhe të dobëta, megjithatë ai theksoi se ekipi shqiptar është gati për të dhënë më të mirën dhe se është përgatitur për këto ndeshje. Ai foli për formacionin e mundshëm, teksa bëri edhe bëri edhe një krahasim mes këtyre dy ekipeve me kundërshtarët e Botërorit, Hungarinë dhe Poloninë, që Shqipëria do të përballet në shtator.

Ndeshja ndaj Uellsit dhe lodhja e lojtarëve – Sigurisht që është problem ky fakt, pra që skuadra është e lodhur, megjithatë ne kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve, jemi përpjekur edhe të pushojmë pak, të rimarrim forcat. E dimë që nuk është e lehtë të përballesh me Uellsin, është një skuadër e fortë fizikisht, në të njëjtën kohë edhe teknikisht është shumë e mirë. Një skuadër që ka eksperiencë, ka edhe vlera të mëdha dhe nuk do të jetë aspak një ndeshje e lehtë për ne. Sigurisht unë nuk e di se kush do të zbresë në fushë nga skuadra e Uellsit, duke qenë se ata luajtën një miqësore me Francën të martën. Mendoj se trajneri i tyre do të bëjë ndryshime, do të ketë njëfarë rrotacioni, duke hedhur në fushë lojtarë më të freskët. Por gjithsesi ne jemi gati për të bërë më të mirën në këtë ndeshje dhe jemi përgatitur për të pasur një rezultat pozitiv.

Pikat e forta dhe pikat e dobëta të kundërshtarit – Sigurisht pika e tyre më e fortë është mesfusha dhe sulmi. Kanë lojtarë të nivelit te lartë sic është Gareth Bejl. Bëjnë një futboll shumë të mirë. Përveç se janë fizikisht mirë, janë edhe të shpejtë. Mendoj se nuk është më si dikur. Ata luajnë të gjithë në Angli por futbolli anglez nuk është më si dikur, tani janë më të përgatitur taktikisht kështu që do të jetë shumë e vështirë. Edhe në mbrojtje janë shumë të organizuar por mendoj se nëse flasim për pikat e dobëta, sigurisht mbrojtja është pika e tyre kritike. Por ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të luajmë me kundërsulmin na mënyrë të tillë që të përpiqemi t’i zëmë në befasi.

Formacioni – Pak a shumë unë e kam vendosur se si do të luajmë ndaj Uellsit. Kam pak dyshime përpara sepse kam katër lojtarë që janë në formë shumë të mirë, Balaj, Seferi por edhe Manaj, të cilët janë paraqitur shumë mirë. Nuk kam vendosur për sulmin pra, jam në dyshime. Sa i përket mesfushës, siç e kuptoni, Abrashi që do të jetë dhe kapiteni do të jetë patjetër në fushë dhe mund t’i bashkohen Bare dhe Çekici, i cili ka bërë një paraqitje të mirë këtë sezon në Turqi me ekipin e tij dhe mendoj se është momenti për ta provuar, duke qenë se edhe Memushaj, i cili nuk mund të ishte në këtë ndeshje por ka edhe një farë moshe dhe duhet të mendoj të gjej një zëvendësues për të në të ardhmen. Sa i përket repartit të mbrojtjes, pak a shumë dihet, Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla do të jenë treshja e mbrojtjes, ndërsa në krah kam disa mundësi. Do t’i shqyrtoj sërish dhe nesër do të marr një vendim në këtë aspect. Duke qenë se janë dy ndeshje në pak ditë do të kenë mundësi të luajnë të gjithë dhe do kem mundësi të bëj edhe zëvendësime në ndeshjen me Uellsin, ndërsa në ndeshjen me Çekinë do bëj sërish ndryshime në mënyrë që t’i aktivizoj të gjithë lojtarët.

Ngjashmëria e dy skuadrave me kundërshtarët e Botërorit – Janë dy skuadra shumë të forta si Uellsi ashtu edhe Çekia. Uellsi mendoj se është pak më e ngjashme me Poloninë, ndërsa Hungaria eshtë pak ndryshe pasi eshtë një skuadër qoftë fizikisht ashtu edhe teknikisht shumë e aftë dhe ka luajtur mirë kohët e fundit. Mendoj se Uellsi ka një grup lojtarësh shumë të fortë, megjithatë une mëndoj se këto dy ndeshje janë të rëndësishme për të kolauduar ekipin tonë. Uellsi dhe Çekia janë kualifikuar në finalet e Europianit, merreni me mend se çfarë niveli janë. Mendoj se Uellsi mund të jetë një surprizë në këtë europian për mënyrën e lojës. E rëndësishme është që ne të gjejmë mënyrën e duhur për të parë se ku do të jemi pas këtyre dy ndeshjeve dhe në prag të ndeshjeve të shtatorit ne botëror dhe të shohim se sa jemi rritur. Unë uroj që këto ndeshje të na ndihmojnë për të bërë analizat e duhura dhe për të parë se ku do të arrijmë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!