A.F Elbasani, ambicie për të afruar talente të futbollit europian

Nga Fatmir Popja

AF Elbasani i ngjitur këtë edicion në Superiore është një nga ekipet më të reja dhe më të suksesshme në historinë e futbollit shqiptar.

Klubi me emrin e ri A.F Elbasani u krijua verën e vitit 2021 dhe ka fituar njëri pas tjetrit, titullin Kampion i Kategorisë së Tretë, Kampion i Kategorisë së Dytë dhe sivjet titullin Kampion i Kategorisë së Parë duke vendosur një rekord historik suksesesh që nuk ka mundur t’i ketë patur asnjë ekip tjetër në Shqipëri.

Me ngjitjen në Superiore në kohën më të shpejtë të mundshme, ky klub futbolli duket se synon rekordin e rradhës. Aktualisht A.F Elbasani është duke zhvilluar një merkato mjaft cilësore kjo falë edhe gjendjes mjaft të mirë financiare të garantuar nga Presidenti Kujtim Llupo.

Gjatë javëve të fundit janë bërë pjesë e ekipit disa futbollistë profesionistë të cilët kanë spikatur në rradhët e ekipeve të ndryshme ku kanë luajtur. Objektivi madhor i klubit të futbollit verdheblu është që në rradhët e tij të ketë lojtarë nga më cilësorët të cilët duhet të bëjnë diferencën.

Burime zyrtare kanë bërë me dije se me emërimin e italianit Roberto Bordini si trajner dhe të bashkëatdhetarit të tij, Mirko Panico, video-analist së bashku me italianin tjetër Andrea Vezzu si përgatitës fizik, merkato do vijojë në tregun e huaj, kryesisht në atë europian.

Në fakt për momentin e gjithë vëmendja menaxheriale po i kushtohet çështjes së portës. Stafi teknik ka identifikuar disa portierë ndërsa këto ditë ata do vendosin fatin e atij që do jetë gardiani i ardhshëm i elbasanllinjëve . Paraprakisht thuhet se trajneri italian Bodin ka dhënë miratimin për një portier mjaft të talentuar i cili ka shkëlqyer me ekipin ku ka qenë pjesë.

Paraprakisht drejtuesit e klubit kanë konfirmuar se portieri i ardhshëm i A.F Elbasani ka moshë të re dhe se është një nga më të talentuarit e moshës së tij.

Ndërkaq verdheblutë janë pranë akordit edhe me 3-4 lojtarë të tjerë të njohur të futbollit europian për të plotësuar kështu formacionin bazë me të cilin do luajnë si pretendentë për vendet e kreut të renditjes në kampionatin e 86-të të Superiores.

Gjatë ditëve të fundit të korrikut, A.F Elbasani mendohet se do mbyllë me sukses të plotë merkaton e verës dhe do të përqëndrohet plotësisht te faza finale e përgatitjeve për ta filluar kampionatit sa më mbarë.

Kalendari i ri i prodhuar dje nga ‘goglat’ në FSHF e kanë vendosur skuadrën elbasanase në transfertë me Skënderbeun. Përfundimisht klubi AF Elbasani me tifozët rekordmenë në krah pritet që të futet në garë mjaft i karikuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!