Partizani në provën e madhe europiane

  • Sot dita e Partizanit, Strugës dhe Ballkanit në turin e parë elimintaor të Ligës së Kampionëve.

Partizani:

Partizani- BATE Borisov do të jetë dhe dalja e parë e kampionëve të Shqipërisë në këtë edicion të ri të UEFA për sezonin 2023/2024.

Në ‘Air Albania Stadium’ me start orën 20:45 ndeshja e parë me Partizanin e gatshëm për të nisur aventurën kontinentale. Do të jetë një mbrëmje me pritshmëri të lartë e mbushur me emocione por dhe me debutime.

Në kërkim të historisë ndërsa të kuqtë ende nuk kanë kaluar një tur në Champions, ky duel do prekë debutimin zyrtar të trajnerit kroat Zoran Zekiç por dhe të disa afrimëve të këtij sesioni të merkatos.

Në fakt, Partizani goditi fort këtë verë teksa portieri Qirko, Gj. Taipi, por dhe Grezda e Mehmeti, pa harruar një ‘as’ si Keko, ia kanë rritur ndjeshëm oreksin për të ecur përpara dhe në kontinent.

“Do të ketë risi në formacion por dhe në role”, tha dje në konferencë trajneri Zekiç. Duket se kroati i sprovuar ka vendosur të ofrojë risi që në start paçka se në ‘rozë’ emra të tillë si Kristian Mba, Viktor Da Silva, Arinaldo Rrapaj, Andi Hadroj e ndonjë tjetër, duken të sigurtë.

BATE Borisov:

Skuadra më e famshme e Bjellorisisë me disa pjesëmarrje në Grupet e Champions vjen në Tiranë si një ekip modest dhe larg performancave të saj të dekadës së fundit. Pas një ecurie aspak të mirë ndërsa kishte 6 takime pa fitore, befas BATE zgjohet në Kupë (26 qershor) dhe më pas godet fort dy skuadrat e radhës në kampionat Neman Grodno dhe Shaktjor Soligorsk për tu ngjitur në vendin e 4-ët (janë luajtur 14 javë).

Ky takim do të gjykohet nga belgu Natan Verbomen.

Programi i ndeshjeve të skuadrave shqiptare sot në Champions:

Zhalgiris- Struga (Elçin Masijev, AZE) 18:00.

Partizani– BATE Borisov (Natan Verbomen BEL) 20:45

Ballkani- Ludogorets (Gal Leiboviz, IZR) 20:45 në ‘Fadil Vokrri’

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!