Siti superfuqi, Inter kap finalen e Italisë
Mesjava rezervoi sfida të zjarrta në Europë ku Premier League kulmoi me duelin e kreut Mançester Siti – Arsenal. “Topçinjve” iu ka rrëshqitur situata nga duart tashmë, ndërsa “Qytetarët” duken në rrugën e duhur.
Fitorja e sotme e kampionëve në fuqi të Anglisë me rezultatin 4-1 përballë një rivali direkt si Arsenali, tregon formën e mirë që Siti po kalon. Dy ndeshje më pak se kryesuesit dhe vetëm dy pikë larg tyre numëron ekipi i Guardiolës që do të tentojë titullin e dytë radhazi.
Sakaq, Çelsi nuk surprizon më me dështimet e tij teksa i radhës ka ardhur përballë Brentford. Blutë e Londrës u munden 0-2 nga Brentford duke shkuar shumë larg objektivave.
Liverpul kaloi Uest Hemin dhe i afrohet Europës në klasifikim, ndërsa fitorja me përmbysje e Notinghem Forest ndaj Brajton rizgjon shpresat te vendasit që dalin nga zona e kuqe.
Në La Liga Atletiko Madrid mposhti Majorkën e Muriqit dhe i afrohet Realit me 2 pikë, ndërsa Almeria kaloi Getafen në përballjen e mbijetesës.
Selta Vigo – Elçe 1-0 ndërsa Rajo Vajekano mundi 2-1 Barcelonën.
Zhvillime ka edhe nga Italia ku Inter është finalisti i parë i Kupës. Pas barazimit 1-1 në sfidën e vajtjes, zikaltërit mposhtën 1-0 Juventusin në derbin e Italisë me golin e Dimarkos në minutën e 15′-të. Finalistja tjetër do të zbulohet nesër nga çifti Fiorentina – Kremoneze ku pritësit janë më të favorizuar pas fitores 2-0./Sara Gjidiaj/
Rezultatet:
Premier League:
Mançester Siti – Arsenal 4-1
Notinghem Forest – Brajton 3-1
Çelsi – Brentford 0-2
Uest Hem – Liverpul 1-2
La Liga:
Atletiko Madrid – Majorka 3-1
Getafe – Almeria 1-2
Celta Vigo – Elçe 1-0
Rajo Vajekano – Barcelona 2-1
Kupa e Italisë:
Inter – Juventus 1-0 (2-1)