Sot/ Dinamo në Ballsh, kryesfida e javës zhvillohet në mbrëmje në ‘Elbasan Arena’
Dita e tretë e javës së 31-të ofron dy ndeshje me pritshmëri të lartë. Në “Adush Muça” (16:00) Bylis do të përballet me Dinamon ndërsa në orën 19:00 supersfida AF Elbasani- Partizani.
Zhvillimet e javës sollën barazimin 1-1 ndërmejt Flamurtarit dhe Vorës duke i lënë të dyja skuadrat në pozitat e mëparshme teksa fitorja e Tiranës dje me Egnatian 3-1 ka bërë që Bylis për momentin të jetë poshtë bardhebluve e në shoqëri me vlonajtët e vendit të fundit.
Kjo sa i përket fundit por zhvillime pati dhe në krye sepse suksesi i Vllaznisë 1-0 me Teutën hap skenare të reja për Elbasanin sot me verdheblutë që nëse fitojnë me Partizanin, mund të parakalojnë rrogozhinasit dhe të afrohen me dy pikë me kryesuesit e Edi Martinit. Sfida mes elbasanasëve dhe shkodranëve në fund të prillit në ‘Elbasan Arena’ mund të përcaktojë jo pak për pozicionet respektive në krye.
E njëjta gjë mund të ngjasë dhe me Dinamon e Partizanin të cilat po luftojnë ethshëm për të kapur “Final Four”. Të kuqtë kanë një pikë më shumë ndërsa të dyja skuadrat e kryeqytetit do të ndeshen në dy javët e ardhëshme me Tiranën në ato që vlerësohen si momenti i së vërtetës që mund të prodhojnë derbet gjithnjë të paparashikueshëm.
Java e 31:
Sot:
Bylis- Dinamo Siti 16:00
AF Elbasani- Partizani 19:00
Luajtur të shtunën:
Flamurtari- Vora 1-1
Luajtur të dielën:
Tirana- Egnatia 3-1
Vllaznia- Teuta 1-0/ Sportiim.al/
