U17/Kombëtarja nis grumbullimin, Behari shpalos objektivat për dy ndeshjet ndaj Maltës

Kombëtarja shqiptare U-17 nisi sot grumbullimin në Tiranë, në kuadër të dy takimeve miqësore ndaj Maltës U-17. 22 lojtarët e thirrur nga trajneri Ardi Behari për këto dy sfida do të stërviten në ‘Shtëpinë e Futbollit’, teksa edhe dy ndeshjet miqësore do të luhen në këto ambiente në datat 18 dhe 20 shtator, në ora 16:00.

Trajneri i ekipit kombëtar U-17, Ardi Behari, në një prononcim për fshf.org komentoi listën me 22 lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida, ndër të cilët 13 aktivizohen në kampionatin shqiptar. Risi në listë është futbollisti Brayan Gjyla, ndërsa tekniku shqiptar zbuloi edhe se pse mungon Ergis Arifi. Trajneri i kuqezinjve nën 17-vjeçarë tha se lista është ndërtuar edhe me ‘ndihëmn’ e projektit të iniciuar nga FSHF, ‘Step by Step’, ndërsa zbuloi edhe objektivat e Shqipërisë për këto dy miqësore: kolaudim grupi dhe rezultate pozitive për të rritur moralin e skuadrës.

Lista me 22 lojtarët e grumbulluar – Jemi munduar të marrim bazën e skuadrës dhe ndonjë lojtar të ri, siç është rasti i Gjylës, i cili vjen nga Italia. Po luan shumë mirë, është i vetmi lojtar i kësaj datëlindje që luan në Serinë B italiane. Është aktivizuar dhe ka shënuar edhe gola. Mbetet për t’u parë boshti i skuadrës dhe ndonjë prurje e re që vjen për shkak të përmirësimit të lojtarëve në kohë. Për shembull, Gjyla nuk është një lojtar i ri për ne, e kemi skautuar në Milano dhe ka qenë edhe pjesëmarrës në grumbullimet e trajnerit Bulku. Nga lista është thuajse e gjithë skuadra, përveç ndonjë mungese si rasti i Arifit, i cili nuk është lejuar pasi ka ndeshje me klubin e Teutës. Është baza e ekipit dhe këto dy ndeshje do të jenë shumë të rëndësishme në kuadër të kolaudimit të skuadrës për t’u përgatitur për kompeticionin e ardhshëm europian.

A është bazuar lista edhe te projekti ‘Step by Step’? – Patjetër që ky projekt ka një spunto shumë të madhe pasi vetë lojtarët janë të njohur me kërkesat tona. I kemi pasur në stërvitje dhe i paraprijnë këtyre grumbullimeve me ato stërvitje që ata kanë bërë me programin ‘Step by Step’. Kjo nuk do të thotë që diferenca të jetë e madhe në grup me lojtarët që vijnë nga jashtë vendit. Përpiqemi dhë kërkojmë që niveli i lojtarëve tanë të arrijë nivelin e lojtarëve që luajnë jashtë dhe pse mos ta kalojnë atë nivel dhe të bëhen baza e lojtarëve të ekipeve kombëtare të moshave.

Objektivat e skuadrës për dy ndeshjet ndaj Maltës – Objektivi është që duhet të fitojmë. Jo vetëm për rezultatin dhe për të mbyllur në mënyrë magjike shtatorin, por ç’është më kryesorja është se kjo gjë ndikon në anën psikologjike të skuadrës, në rritjen e besimit te kjo skuadër, në kolaudimin e veprimeve të skuadrës. Nëse fitojmë në këto dy ndeshje dhe në ndeshjet e ardhshme miqësore në tetor, atëherë shkojmë në kompeticion me një moral më të lartë dhe objektivi është që të fitojmë. Lojtarët duhet të rriten me fitore, duhet t’i kultivohet ndjenja e fituesit. Fitorja është esenca e çdo gjëje që bëjmë ne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!