‘Futbolli për Shkollat’/ Prezantohet programi i FIFA-s për përfshirjen e fëmijëve


Është lançuar këtë të mërkurë programi ‘Futbolli për shkollat’, një projekt bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i mbështetur nga institucioni i futbollit botëror, FIFA. Ky program kaq i rëndësishëm për të gjithë fëmijët e grupmoshës 8-14 vjeç do të përfshijë 116 shkolla në të gjithë vendin. Përfaqësues të FIFA-s kanë mbërritur në Tiranë dhe do zhvillojnë një seminar 3-ditor me 116 mësues të edukimit fizik, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku do të shpjegojnë programin ‘Futbolli për shkollat’ që pritet të nisë rrugëtimin në sezonin e ri shkollor në 116 shkolla 9-vjeçare në gjithë Shqipërinë.

Në nisje të seminarit të ditës së sotme, lançimin e këtij programi e përshëndetën anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala dhe përfaqësuesi i FIFA-s dhe drejtuesi i programit, Antonio Buenano Sanchez. Në fjalën e tij, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho nënvizoi se bashkëpunimi i mirë mes FSHF-së dhe shtetit shqiptar ka sjellë këtë program kaq të rëndësishëm që i jep jetë futbollit të fëmijëve në shkolla, nga ku është baza e talenteve të së ardhmes.

“Më vjen mirë që shikoj një sallë plot me mësues fiskulture, me mësues të edukimit fizik, të cilët do të jenë ata që do të prekin të parët futbollistët e së ardhmes. Pikë së pari doja ta nisja nga urimi për fitoren e djeshme të kombëtares shqiptare të futbollit. Fitore e mrekulleshme, por edhe ato ndodhitë e tjera në grup na bëjnë që të rënditemi të dytët dhe të shpresojmë shumë që do jemi një nga skuadrat që do kualifikohemi për Europianin e ardhshëm.  Nga ajo marr spunton për të thënë që kur ka një vullnet të mirë mes futbollit dhe shtetit, qeverisë, bëhen gjëra të rëndësishme në sport dhe në futboll në veçanti.

Ky bashkëpunim ka kohë që ka nisur, i dimë të gjithë stadiumet e ndërtuara, e dimë të gjithë bashkëpunimin shumë të mirë që ka Federata me qeverinë. Për t’u kthyer te pjesa që na takon neve, futbolli i moshave, futbolli i bazës, është ai ku duhet të bazohemi për ndërtimin e këtij sporti, që të shkojmë atje ku duam. Lojtarët më të rëndësishëm të futbollit të bazës janë nëpër shkolla, nuk janë fillimisht nëpër klube. Klubet e mëdha do jenë filtri i fundit që do shkojnë futbollistët e mirë. Fillimisht ata preken nga mësuesit e edukimit fizik, që i shikojnë në përditshmëri se çfarë mund të bëjë një fëmijë, si dhe rritjen normale që mund të kenë në sport, në futboll në veçanti.

Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, sepse FIFA përmes fondacionit “FIFA Foundation” zhvillon futbollin në shkolla dhe partneri i FIFA-s, partneri lokal, është Federata e Futbollit që këtë e kishte pjesë të “Strategjisë së Futbollit për Kombin”, që e kemi parë të gjithë të shpalosur. Më vjen mirë që kjo nuk ngelet në letër, nuk ngelet thjesht një projekt i shkruar dhe sot është hapi i parë. Ky është fryt i bashkëpunimit shumë të mirë që ka Federata Shqiptare e Futbollit me qeverinë shqiptare.

E falënderojmë edhe zonjën Kushi për mesazhin, por e kemi parë që sidomos vitet e fundit është shumë afër FSHF-së. Ky bashkëpunim na sjell vetëm të mira. Mendoj se përmes incentivimit, që në fakt e kemi nisur në shkolla me futbollin e vajzave. Mësuesit e edukumit fizik po evidentojnë futbollistet vajza në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Këtu flasim për 116 shkolla, por jam i bindur që ky projekt do jetë edhe më i madh vitin tjetër. Janë aktivizuar 18100 futbollistë të vegjël vitin e kaluar.

Projektet e FSHF, “Topi yt” dhe “Uniforma ime”, kanë shtuar numrin e futbollistëve të rinj thuajse 30 për qind, që është një shifër shumë e madhe. Falënderoj shumë edhe përfaqësuesit që kanë ardhur nga FIFA, që do të jenë me ju për kaq ditë. Jam i bindur që trajnimi do të jetë shumë professional. Të gjithë ju do të keni çfarë të mësoni. Jam i bindur që do të jetë një projekt që u hodh hapi i parë sot, por vitet e tjera do jetë akoma edhe më i konsoliduar. Ju falënderoj!” – tha Pano Xhixho në fjalën e tij.

Sakaq, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, përmes një video-mesazhi i uroi suksese të gjithë mësuesve të edukimit fizik, ndërsa shprehu edhe mbështetjen e institucionit të arsimit dhe sportit në vend. Ndër të tjera, Ministrja Kushi falënderoi Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino për angazhimin e tij personal në këtë projekt dhe Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për vënien në jetë shumë shpejt të këtij programi.

Në Tiranë po zhvillohet një trajnim në kuadër të Programit “Futbolli për Shkollat”, që po realizohet në bashkëpunim me FSHF dhe FIFA, ku marrin pjesë të gjithë mësuesit e edukimit fizik nga 116 shkollat që janë pjesë e fazës së parë të programit. Ju uroj shume suksese për këtë trajnim dhe dua të shpreh mbështetjen e MAS, për mbarëvajtjen e trajnimit, por mbi të gjitha për zbatimin sa më të suksesshëm te programit vitin e ardhshëm shkollor.

Futbolli është sporti më i dashur e popullor kudo në botë dhe unë e kam parë nga afër edhe pasionin dhe vullnetin e nxënësve tanë. Por dua të theksoj që programi zhvillon jo vetëm futbollin në aktivitetet jashtëshkollore, por gjithashtu nxit edhe shume vlera të rëndësishme tek ata: krijon besim në vetvete dhe disiplinë tek nxënësit tanë; rrit bashkëveprimin social; përmirëson performancën e nxënësve në procesin e të mësuarit; promovon gjithëpërfshirjen dhe mundësitë e barabarta, duke mbështetur pjesëmarrjen e vajzave por edhe nxënësve me aftësi ndryshe.

Dëshiroj të falënderoj FIFA dhe veçanërisht presidentin z. Infantino, i cili u angazhua vete personalisht në këtë projekt. Shumë faleminderit FSHF dhe Presidentit Armand Duka, me të cilin në janar nënshkruam marrëveshjen për këtë program, dhe sot, ja ku jemi së bashku, për të vënë në jete qëllimet, dhe për të gëzuar sa më shpejt rezultatet konkrete: identifikimi dhe mbështetja e talenteve; por pa dyshim edhe mbështetje për familjet shqiptare, që duan të angazhojnë sa më shumë fëmijët e tyre në aktivitete sportive.

Edhe legjenda e futbollit shqiptar, ish-kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala përshëndeti nisjen e këtij programi në Shqipëri, duke e vlerësuar si një ‘iniciativë shumë të rëndësishme’. Lala dha një mesazh të rëndësishëm për 116 mësuesit e pranishëm në sallë.

“Unë vetë jam rritur në Tiranë, këtu afër. Futbollin e luajtur e kam nisur në moshë të madhe, 13 vjeç. Kam nisur stërvitjen me Ilir Pernaskën. Futbolli për mua ka nisur në shkollë. Kontakti i parë ka qenë me profesorët e fiskulturës. Kur Gjermania doli kampione bote në vitin 2014, asnjë lojtar nuk e kishte nisur futbollin në një klub të Bundesligës, por në klube të vogla, në fshatra. Edhe ju jeni shumë të rëndësishëm për futbollin shqiptar, për të ardhmen. Shpresoj të bëni punën e mirë për zbulimin e talenteve, ta atyre që e kanë pasion futbollin. Jeni edukatorët e parë.

Ndoshta nga ky rresht këtu do të dalin 2-3 lojtarë që të luajnë për Kombëtaren. Kjo është detyra juaj dhe shpresoj ta bëni me pasion. Ju jeni jashtëzakonisht të rëndësishëm. Duhet pasion. Hiqini fëmijët nga të luajturit futboll në mënyrë virtuale, jepuni diçka për shëndetin dhe disiplinë. Uroj të nxirrni sa më shumë futbollistë” – tha Altin Lala në fjalën e tij.

Në këtë aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe menaxheri i këtij programi, Antonio Buenano Sanchez, i cili veç falënderimeve, u shpreh i lumtur që ai dhe grupi i tij do të ndajnë përvojën e tyre me 116 mësuesit shqiptarë, në kuadër të këtij programi.

“Në emër të FIFA-s, dua t’ju falënderoj të gjithëve. Një falënderim i veçantë shkon për legjendën e futbollit, për kryetarin e Komisionit të Futbollit të Fëmijëve dhe gjithashtu për përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Jemi shumë të lumtur të jemi këtu në Shqipëri sot. Ka qenë një rrugëtim i gjatë për të gjithë ne. Ne duhet të jemi të qartë, sipari i programit ‘Futbolli për Shkollat’ vjen si rezultat i marrëveshjes mes FSHF-së dhe MAS dhe Shqipëria është vendi i gjashtë në UEFA që ka nisur këtë program. Jemi krenarë që jemi këtu, jemi shumë të lumtur që shohim përfaqësues nga 116 shkolla që do të jenë pjesë e programit të lançuar, ‘Futbolli për Shkolla’. Jemi të lumtur dhe të emocionuar të ndajmë përvojën me ju” – tha ndër të tjera menaxheri i këtij programi, Antonio Buenano Sanche .

Programi i ‘Futbollit për Shkollat’ ka si synim të mbështesë të gjitha shkollat 9-vjeçare, duke shpërndarë materiale bazë që duhen për futbollin dhe për zhvillimin e këtij sporti për të krijuar sa më shumë ekipe futbolli dhe për të zbuluar sa më shumë talente të reja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!