Silvinjo: Jam i bindur për ndeshje të mëdha

Tekniku brazilian, debutoi në pankinën kuqezi më 27 mars kundër Polonisë (humbi 1-0) në Varshavë, flet për dy ndeshjet e qershorit ‘Euro 2024’.

Siç dhe ishte njoftuar nga Departamati i Komunikimit në FSHF, sot trajneri i Kombëtares kuqezi, Silvinjo, doli në konferencë për shtypi për të folur për dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e ‘Euro 2024’ kundër Moldavisë dhe Ishujve Farore në 17 dhe 20 qershor.

“Gjendja e futbollistëve? Sigurisht që kemi moment delikat sepse është fund sezoni dhe lojtarët janë të ngarkuar. Kjo është pjesë e punës dhe kam folur e kam takuar shumë lojtarë. Është situatë ku grupi duhet menaxhuar sa më mirë. Duhet menaxhuar intensiteti që lojtari të japë 100% në fushë dhe prandaj kemi zgjedhur 26 lojtarë. Duhet menaxhim i mirë pasi kemi një moment delikat.

Turi në Europë dhe kundërshtarët? Mund të them se i njoh më mirë lojtarët. Prej dy muajsh nuk kishim punë të lehtë. Polonia ishte vetëm një ndeshje dhe tani kemi situatë krejt ndryshe me kundërshtarë ndryshe. Jam i kënaqur me listën që ishte me 27 lojtarë por tani kemi 26 nga Gjasula. Jam i kënaqur që kemi të rinj dhe me eksperiencë dhe 2-3 lojtarë të tjerë që do të na ndihmojnë. E njoh skuadrën më mirë se në periudhën që kishim ndeshjen me Poloninë.

Mundësitë për fitore? Mundësia për të fituar një ndeshje është dhe përveç lojës së bukur për të marrë 6 pikë është fusha që na e tregon. Rezultati nuk është diçka që dihet pasi kemi 7 ndeshje të rëndësishme që duhen fituar. Tani kam në mendje vetëm ndeshjen me Moldavinë dhe pastaj do të kem tjetrën. Jam i kënaqur me punën që po bëhet dhe duhet të luftojmë për një vend në Gjermani. Jam i bindur se në debutimin tim në Shqipëri para tifozëve do të bëjmë më të mirën për të marrë 3 pikë dhe tifozët do të na ndihmojnë.

Sadiku dhe Muçi? Kemi një grumbullim ndryshe këtë herë. Përpara kemi dy ndeshje, kundërshtarë krejt ndryshe nga Polonia. Muçi vjen nga një formë mjaft e mirë. E meriton që të jetë këtu me ne dhe të ndihmojë skuadrën. Me Sadikun kam folur më përpara. Ai kthehet këtu pas gati tre vitesh. Është një simbol për Kombëtaren. Është një lojtarë që e njeh mjaft mirë zonën, golin. Është e rëndësishme që ne të bëjmë një lojë të bukur, por në fund do të vlejnë tre pikët. Ne e dimë që na duhen këto tri pikët. Ndeshja nuk fitohet nga një çast, por nga ajo që ndërton. Them që jam i kënaqur nga kjo listë. Të gjithë ata që janë këtu e meritojnë. Është e rëndësishme të fitojmë me Moldavinë. Çekia nuk ka asnjë humbje. Është situatë shumë e tendosur. Gjithsesi jam i bindur për lojtarët e mi. Ata që do të zbresin në fushë do të jenë ata që do të jenë në 100%. Është e rëndësishme që të bëjmë një lojë sa më të mirë përpara tifozëve tanë.

Roshi? Patjetër që Roshi është një lojtar i rëndësishëm. Nuk do të thotë që nuk do të jetë me ne në shtator. Është një lojtar mjaft i aftë. Por në këto momente kemi dhe lojtarët të tjerë që mund ta bëjnë më mirë atë rol. Roshi është në monitorim, ashtu si shumë lojtarë të tjerë të Kombëtares.

Problem me ekipet e vogla? Ne kemi përpara shtatë ndeshje. U them dhe lojtarëve që nuk ka ekipe të vogla. Janë të gjithë rivalët njësoj. Ajo që duhet theksuar është që çdo gjë do varet nga ne. Nuk ka rëndësi nëse është Moldavia, Polonia apo Çekia. Ne duhet të jemi gjithmonë në 100%. Është puna e trajnerit që duhet të motivojë lojtarët. Luajmë me një rival që nuk ka pësuar humbje. Jam i bindur që dhe ata nuk e quajnë Shqipërinë të vogël. Duhet të luftojmë deri në fund. Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. ka ekipi ku kundërshtari tërhiqet, por ne duhet të gjejmë mundësitë tona për të shënuar. Ndoshta mund të ketë ndonjë ndryshim meqë Gjasula nuk do të jetë me ne.

Zëvendësuesi i Gjasulës? Do të ecim me këto lojtarë që kemi, pa ndryshime. Është një moment delikat siç e thashë më parë pasi disa lojtarë kanë luajtur e disa kanë pushuar. Kam 26 lojtarë edhe pse kisha thirrur 27. Dua të jap një mesazh për Kumbullën që u dëmtua rëndë me Romën dhe me Poloninë bëri një ndeshje të madhe në Poloni. Do të na mungojë një lojtar si ai dhe shpresoj të rikthehet shpejt në Kombëtare.

Dy ndeshjet? Jam i bindur që kemi kohë për të përgatitur këto dy ndeshje dhe kjo është puna e trajnerit. Kemi 7 ditë kohë me grupin e plotë dhe kemi thënë që është moment delikat por nuk ka problem të madh sepse kemi lojtarë të fortë dhe mund të bëhet ndryshimi i lojës. Pak rëndësi ka nëse luan në sulm apo mbrojtje por duhet ekuilibri. Ti mund të shënosh 3 gola dhe të pësosh 4 prandaj duhet ekuilibër. Kemi lojtarët e duhur për të pasur sukses.

E nisim me Moldavinë dhe kemi shanse të fitojmë. Jemi të detyruar të fitojmë këto dy ndeshje dhe për të arritur objektivin tonë na duhen pikët. Në shtator, tetor dhe nëntor kemi ndeshjet e tjera dhe duhet patjetër të fitojmë në shtëpi. Ne mund të fitojmë tani dhe të lëmë ndeshje të tjera, prandaj duhet një nga një. Ju e patë çfarë ndodhi në Bundesligë dhe ndeshjet fitohen në fushë e jo me llogari tavoline. Të gjithë me pult në dorë…Nuk fitohen ndeshje jashtë fushe. Kemi bërë punë të mirë edhe me lojtarët dhe ata e kanë kuptuar filozofinë time. Do të ketë impaktin e vet edhe atmosfera në Tiranë.

Porta? Situata është thuajse e njëjtë me Strakoshën dhe Berishën. Janë dy lojtarë të rëndësishëm. Por kur të nisë grumbullimi dhe të jenë këtu, fusha do na e tregojë në çfarë forme ata do të jenë. Strakosha vjen nga një dëmtim. Kam folur me stafin mjekësor dhe më kanë siguruar që nuk ka probleme. Jam i kënaqur që i kemi të dy këtu. Kemi dhe Kastratin që vjen nga një sezon i mirë, por edhe Simon Simoni. Është një lojtar shumë interesant. Si Bajrami dhe Mitaj që ne kemi shumë nevojë, por edhe për eksperiencën që duhet të marrin me Kombëtaren. Unë kam dobësi për të rinjtë.

Loja e bukur? Për mua është në rregull të bëjmë lojë të mirë dhe të marrim tre pikët. Por futbolli është i çuditshëm. Ne do të punojmë shumë për të luajtur me zemër dhe më dëshirë të madhe për të marrë tre pikët me një lojë të bukur.

Vetëm një lojtar nga Superiorja? Ne përgatisim listën duke pasur parasysh lojtarët që janë më në formë. Për mua dhe stafin tim nuk ka rëndësi se ku luajnë lojtarët e mi. E rëndësishme është ekuilibri i grupit.

Ndeshja e parë përballë tifozëve kuqezi? Është një ndjesi shumë e bukur dhe mezi e pres. Nuk e shikoj si presion debutimin tim para tifozëve shqiptarë. Unë kur shikoj atë stadium të bukur mezi pres që të futem në fushë dhe të shijoj ndeshjen, sidomos përballë tifozëve shqiptarë. Jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje mjaft të bukur.

Rezultati? Duhet folur pak me respekt për kundërshtarin. Kjo është një ndeshje shumë e vështirë. Ne presim të shkojmë në fushën e lojës dhe për 90 minuta të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. kjo është e rëndësishme për një trajner.”/Sportiim.al/

Video:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!