Duka pret amnistinë fiskale të premtuar…

 ● “Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por shteti të bëjë detyrën e tij për t’u zhvilluar futbollin në Shqipëri”, shprehet presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në prag të nisjes së sezonit të ri të futbollit shqiptar

Në prag të nisjes së sezonit të ri të futbollit shqiptar, presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka folur gjatë për atmosferën e këtij starti dhe problematikën e tij. Por gjatë intervistës se dhënë për “Top Channel” , kreu i futbollit shqiptar, ka folur edhe për mjaft probleme dhe shqetësime.

Ai ka rrëfyer se si u kapërcye ngërci i liçensimit të klubeve, si kusht për të marrë pjesë në Kampionatin e 81-të të Superiores, pa e fshehur faktin, se FSHF ka marrë garanci nga Kryeministri, se në shtator pritet të miratohet paketa e ndryshimeve ligjore, si dhe do të ketë amnisti fiskale për klubeve, etj., etj.

– Një nga gjërat që ka bërë jehonë në prag të këtij fillimsezoni, ka qenë qëndrimi i FSHF-së ndaj plotësimit të kritereve për licensimin e klubeve. Përse ndodhi këtë vit kështu jo më parë?

– Licensimi është arma kryesore që ka organizatorja, Federata në këtë rast, për të rritur standartin dhe për të realizuar objektivat dhe strategjitë e veta. Kështu që nëpërmjet ndryshimit të kritereve të liçensimit arrin të përmirësosh garën, të përmirësosh lojën dhe të përmirësosh vetë organizimin e klubeve. Ky manual liçensimi për të gjitha kategoritë që luhet futboll, pa tjetër që ndryshon vit pas viti, për t’u përmirësuar maksimalisht. Në këtë sezon manuali i liçensimit parashikonte të njëjtat kritere që parashikon edhe UEFA për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në fund të fundit nuk bën sens që një ekip të marrë pjesë në garën kombëtare dhe mos të ketë të drejtë të luajë në kompeticionet europiane duke mos u licensuar. Në këtë formë e bën më pak të interesuar, i krijon më pak të ardhura e të tjera me rradhë. Kështu që kërkesa e këtyre kritereve për pjesëmarrjen në Kupat e Europës edhe për kampionatin shqiptar, bëri që disa klube të kishin vështirësi në plotësimin e tyre, por në fund i kanë plotësuar ato kritere edhe me mbështetjen e administratës shtetërore, me marrëveshjet që kanë pasur me drejtorinë e tatim-taksave, apo edhe me debitorët e tjerë.

– Pra ka qenë një mbështetje e Qeverisë për këtë gjë?

– Pa tjetër që ka patur. Në fakt, ka qenë një lloj bashkëpunimi. Qeveria për të formalizuar futbollin duhet të bënte një lloj amnistie fiskale për klubet e futbollit për t’i futur ata në një ekonomi akoma më formale. Por gjithësesi, kjo amnisti e premtuar që në tryezën e kryeministrit Rama me përfaqësuesit e futbollit, kërkonte një akt formal, marrëveshje për likuidimet e borxheve me këste. Një marrëveshje që drejtoria e tatimeve tashmë e ka bërë me klubet.

– A i kanë plotësuar realisht 10 skuadrat e Superligës ato kritere?

– Pa tjetër që po. Problemi kryesor lidhej me detyrimet financiare, 3 nga 4 klubet me probleme kishin detyrime ndaj Drejtorisë së Tatimeve, ndërkohë që klubi tjetër për detyrime ndaj futbollistëve. Të katërta këto skuadra, kanë bërë marrëveshjet e nevojshme dhe për sa kohë një detyrim është në marrëveshje, nuk quhet më detyrim negativ.

– Çfarë po ndodh me paktetën e ndryshimeve ligjore, që ju i keni kërkuar Qeverisë?

– Të gjitha problemet dhe kërkesat që i parashtruam në tyrezë që nga ajo kohë janë zhvilluar dhe kanë marrë një drejtim në grupet e ndryshme të punës. Ka patur sigurisht kundërshtime, ka patur debate, por përfundimisht, të paktën nga premtimi i kryeministrit, në muajin shtator do të miratohen. Le të presim shtatorin me shpresën që të përfundojë ky proces, që mendoj që do të jetë një shtysë e fortë për zhvillimin e futbollit. Shpesh kam dëgjuar që përse kërkohet t’i japim para futbollit, apo t’ia falim, por kjo nuk është e drejtë. I gjithë komuniteti i futbollit në fund të fundit, që është minimalisht rreth 20.000 njerëz, janë taksapagues, kështu që të mbështesësh zhvillimin e këtij sporti, nuk është se po i fal ndonjë gjë. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, por kërkojmë që shteti të bëjë detyrën e tij për t’u zhvilluar futbollin në Shqipëri.

– Problemet financiare në prag të këtij sezoni kanë qenë në pamje të parë më të mëdha se në vitet e shkuara. Vërtet ato mund të kenë plotësuar kërkesat financiare, që lidhen me licensimin, por tashmë po kanë probleme me formimin e skuadrës.

– Nëpërmjet sistemit të licensimit ne kemi për qëllim që të ndërgjegjësojmë klubet për të bërë futboll, aq sa të ardhura ka. Edhe ndryshimet në paketën ligjore që kemi propozuar dhe sistemi i liçensimit, çojnë në objektivin final që futbolli të mbajë veten. Nuk kemi përse të jemi në situata artificiale, për arsye të ndryshme që e kthejnë shpesh herë futbollin në një gropë të zezë. Tashmë jemi vërtet në prag të kampionatit, të 10 skuadrat janë duke u përgatitur, dikush më mirë dikush jo aq mirë, por kështu është edhe futbolli, jo të 10-ta do të dalin kampione, njëra skuadër do të jetë në vend të parë e një në vend të 10-të.

– Një pjesë e skuadrave kanë filluar stërvitjen me të rinjtë, për shkak të problemeve edhe financiare, këtu përfshihen edhe emra të mëdhej të futbollit shqiptar. Ju shqetëson ky fakt?

– E rëndësishme është që në fushën e lojës të jenë skuadra të mira, sot në Superligë ka shumë skuadra që kanë bërë historinë dhe nuk janë më. Kështu që duhet të mësohemi që klubet të përshtaten me kohën, me realitetin dhe me këtë formë organizimi. Nuk jemi në kohën e Diktaturës kur klubet ishin të pushtetit, sot jemi në kohëra të tjera, në ekonomi tregu që duhet dhe duhet të përshtatesh. Kush përshtatet më mirë zhvillohet më shumë.

– Deri përpara pak kohësh Skëndërbeu ishte një lloj shembulli i futbollit shqiptarë, ndërkohë që dënimi i dhënë nga UEFA dhe konfirmimi nga CAS i ka dhënë një goditje të rëndë dhe kjo duket edhe në përbërjen e skuadrës.

– Dënimi që ka marrë Skënderbeu ka qenë vërtet i pa precedent, shumë i rëndë. U mendua që në CAS do të ndryshonte diçka, por nuk ndodhi kështu. Megjithatë kjo është një çështje që vazhdon ende gjykimin. Për sa kohë është një fazë gjykimi nuk mund ta konsiderojmë përfundimtar. Argumenta ka apo nuk ka, prova ka apo nuk ka, dhe nëse do të jetë apo jo Skëndërbeu na duhet të presim.

– A mendoni se dënime si këto trembin pjesën tjetër për të qenë pjesë e trukimit të ndeshjeve dhe a është futbolli sot më i pastër?

– Shiko, që futbolli vuan nga trukimi i ndeshjeve ky është një fakt, që nuk është shqiptar, por ndodh kudo ku luhet futboll. Për këtë arsye institucionet drejtuese FIFA, UEFA apo Federatat e kanë luftuar. Duke qenë se trukimi është sëmundje e futbollit nëpërmejt këtyre masave, por edhe masave të tjera parandaluese, ky fenomen është minimizuar. Në çdo rast trukimi i ndeshjeve duhet të luftohet maksimalisht dhe unë i mbështes, kur vërtet ka argumenta dhe prova për trukimin.

– Për të kaluar pak te stadiumi kombëtar. Eshtë shtyrë shpesh herë data e inagurimit dhe ashtu ka ndodhur edhe këto ditët e fundit. Kur do të jetë gati?

– Stadiumi nuk është vetëm pjesa e stadiumit që duket, por edhe ambienti i parkingut përpara tij. Eshtë parkimi dhe Sheshi “Italia”, në të cilin ende nuk ka filluar puna. Kështu që nëse nuk përfundohet si kompleks, është e pamundur që të zhvillohet ndeshje ndërkombëtare. Kështu që pengesa kryesore është Sheshi “Italia”, pasi punimet e stadiumit janë drejt përfundimit dhe stadiumi është gati edhe në shtator si stadium, por si kompleks shpresoj që edhe Sheshi “Italia” të përfundojë dhe ne të bëjmë inagurimin në muajin nëntor.

– Sa i përket Kombëtares, si është atmosfera në ekip, tani me ndryshimin e trajnerit dhe pas ndeshjeve të zhvilluara?

– Atmosfera në përgjithësi nuk është shumë positive, sepse ne u mësuam që Kombëtarja të ketë rezultate shumë më pozitive se kaq dhe pritshmëritë tona për ekipin Kombëtar janë akoma më të mëdha. Kjo bën që një pjesë e opinionit të krijojë një atmosferë jo positive, që në mënyrë indirekte ndikon negativisht edhe tek ekipi. Megjithatë, atmosfera brenda ekipit dhe stafi i ri, ka sjellë një situatë shumë pozitive. Tani do të përgatitemi maksimalisht për dy ndeshjet e radhës me Francën dhe Islandën, dy ndeshje shumë të vështira për ne. Duke patur parasysh rezultatet e ndeshjeve të fundit, shanset i kanë minimizuar shanset tona për të menduar kualifikimin, por gjithsesi ne do të përpiqemi të bëjmë maksimumin.

– Ndërkohë që me kalimin e javëve dhe muajve po i vjen edhe fundi kontratës së trajnerit Edi Reja. Edhe pse të pakta kanë qenë ditët që ai është marrë fizikisht me ekipin, por si e vlerësoni punën e tij të bërë deri më tani? Keni menduar se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të 6-mujorit?

– Jam realisht shumë i kënaqur me punën që bën në përgjithësi trajneri i ekipit Kombëtar. Eshtë e vërtetë ajo që thatë ju, që atmosfera përpara tij nuk ishte shumë pozitive dhe ekipi humbi besimin ashtu si edhe njerëzit rreth tij. Edi Reja e ka ndryshuar këtë lloj ambienti, i ka dhënë më tepër besim ekipit, gjë që djemtë e shfaqën edhe në ndeshjen e parë nën drejtimin e tij në Islandë. Vërtet nuk morëm rezultat pozitiv, por sjellja e ekipit në fushë ishte ndryshe. Duke patur këtë vlerësim maksimal të punës së tij, jam pozitiv për të vazhduar bashkëpunimin me të.

– Veç presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, ju prej 6 muajsh jeni tashmë edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s. A është futbolli shqiptar tashmë një faktor brenda qeverisë së futbollit europian?

– Në fakt diskutimet në mbledhjet e Komitetit, ku unë tashmë janë pjesë, lidhen me të gjtiha veprimtarit më të mëdha europiane pas vitit 2024. Në çdo mbledhje hidhen mendime në tryezë dhe disktohen apo debatohen, sepse jo gjithmonë organizatori që është UEFA dhe ligat e ndryshme eurpiane, janë dakord me ndryshimet e reja.

– A është tashmë futbolli shqiptar më i përfaqësuar në UEFA?

– Sot mund të them që futbolli shqiptar është shumë i përfaqësuar në UEFA. Nëse dikur nga Shqipëria mund të ishte individ pjesë e ndonjë komisioni të rëndomtë, sot vendi ynë përfaqësohet në qeverinë e futbollit europian me mbi 10 zyrtarë të ndryshëm të FSHF dhe të komunitetit të futbollit tonë, në komisionet e UEFA-s, përveç komitetit ekzekutiv.

– Sa i përket Ligës, a besoni se janë të afta klubet shqiptare për ta menaxhuar vetë kampionatin? Dhe a e shihni ju këtë edhe si një çlirim, duke qenë se për çdo gjë që ndodh në kampionat, akuzat bien mbi federatën?

– Ndonjëherë i bën mirë që shajnë dhe shfryjnë ndaj Federates, se e përdorin si valvul shkarkimi, duke thënë që fajin e ka federata. Po ta mbyllin këtë valvul do ta kenë më të vështirë. Gjithsesi Liga është mbi të gjitha kulturë bashkëpunimi, si një kompani me 10 aksionerë të barabartë, nuk mund të them që është e pamundur, por do kohën e vet për të arritur në nivelin maksimal të menaxhimit të kampionatit. Ne nuk mund të bëjmë eksperimente që mund të rrezikojmë garën. Për këtë arsye po përpiqemi që të hedhim hapa të sigurtë, që gara të ekzistojë të zhvillohet dhe Liga të mbrojë interesat e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!