FSHF, replikon me zv.kryeministrin Braçe…

Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet Bardhyl Minxhozit, me cilësinë e administratorit të Stadiumit të ri Kombëtar që po ndërtohet në Tiranë, sot pa i përmendur emrin, indirekt i është përgjigjur zv.kryeministrit Erion Braçe, si një prej zërave dhe partizanëve më të flaktë për të mos e ndryshuar emrin e stadiumit të ri, që po ndërtohet mbi gjurmët e ish-stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.
“Njoftimi i FSHF në kërkim të një sponsori për Stadiumin e ri për ta vënë administrimin e tij mbi baza komerciale, është pritur me interes nga disa firma me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar.
FSHF, duke mirëkuptuar
ndjeshmërine e publikut në lidhje me këtë proces dëshiron të bëjë me dije se
vendimi i saj, për gjetjen e një sponsori për stadiumin e ri nuk është një
shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në “Premier League” nuk kanë emra
tregtarë: Liverpool, Old Trafford dhe
Tottenham. Ekspertët vlerësojne që arsyet që këta të fundit nuk kanë bërë
marrëveshje për “shitjen” e emrit lidhen me faktin që historia e emrit tyre,
“shet” më shumë se sa emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe
tradita, qindra vjeçare kanë emra tregtare. Ja disa shembuj në Europë dhe SHBA:
Amex Stadium-Brighton, Etihad Stadium-Manchester, Emirates Stadium-London,
Allianz Arena-Munich, Mercedes-Benz Arena-Stuttgart, Orange Velodrome-Marseille,
MetLife Stadium-New Jersey USA, FedExField-Maryland USA, Bank of America
Stadium-North Carolina USA, AT&T Stadium-Texas, Gillette Stadium-Massachusetts
USA
Stadiumi i ri ka kushtuar shumë. Mirëmbajtja dhe menaxhimi i tij, do të kushtojë gjithashtu shumë. FSHF nuk ka qëllim tjetër veçse të garantojë të ardhmen e këtij impianti. Dhe kjo është një rrugë e njohur dhe jo një “shpikje shqiptare”, siç e sqaruam me shembujt e mësipërm. Shqetësimi publik i segmenteve të cakturara “tifozo-pushtetare”, në lidhje me çështjen e emrit, s’ka të bëjë me thelbin e çështjes marketing ose jo, madje as me problemin e emrit. Është thjesht, përsiatje dhe këndvështrim i një personi, që në edicionin e rradhës së përbaltjes, ende nuk e ka të qartë se si prononcohet: Si pushtetar? Apo si tifoz “i shqetësuar”, apo si politikan që kërkon kredo politike.
Por pavarësisht kësaj ne garantojmë opinionin publik, tifozët, madje edhe ata që nuk mendojnë si ne, se i gjithë ky proçes do të zhvillohet, për të menaxhuar dhe mirëmbajtur sa më mirë, një impiant modern dhe me vlera si Stadiumi i Ri,” shkruan në faqen zyrtare të FSHF-së në “Facebook”, Bardhyl Minxhozi, njëherësh anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe administrator i stadiumit të ri kombëtar.